Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Shkozet të Durrësit. Dy persona mbetën të vdekur si pasojë e të shtënave me armë. Viktimat janë Dorjan Shkoza 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia 24 vjeç.
Ndërkaq, në një lidhje direkte për ABC News, gazetari Leonidha Musaj raportoi se rreth 13-14 persona janë shoqëruar si autorë të dyshuar për vrasjen e mbrëmshme dhe disa prej tyre janë lënë të lire.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Njëri nga viktimat Dorjan Shkoza disa vite më parë ka bërë 5 vite burg ndërkohë 24 vjeçari dhe pse nuk është një person i skeduar nga policia është një person që në zonë njihet për shitje dhe trafikim narkotikësh.
Si ndodhi ngjarja:
Dy personat që mbetën të vrarë, ishin duke qëndruar në trotuar, pranë tregut të fruta-perimeve, në zonën e Shkozetit, në kohën që një automjet me xhama të zinj, ka kaluar me shpejtësi të ulët, nga ku ka hapur zjarr në drejtim të dy personave.
Me 2 viktimat ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, por fatmirësisht nuk është raportuar për të plagosur.
Dorjan Shkoza 35 vjeç, ka mbetur i vdekur në vend, pasi ka marrë disa plumba në trup dhe një në kokë, ndërkohë Anxhelo Avdia 24 vjeç ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Durrësit. /abcnews.al