Vrasja e Devi Kasmit, në burg 4 të arrestuarit

schedule19:08 - 5 Shkurt, 2018

schedule 19:08 - 5 Shkurt, 2018

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për katër personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit në 29 Janar 2018, mes të cilëve edhe shtetasi grek Efthimious Efthimiou. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura të dyshuarit mohuan akuzat e ngritura nga Prokuroria. Përmes avokatëve mbrojtës, ata pretenduan se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen dhe kërkuan masa më të buta sigurie se ajo e “arrestit në burg”.

Ky është Efthimios Efthimiou, 41 vjeçari grek i akuzuar si ekzekutori i Devi Kasmit mbrëmjen e 29 Janarit në Tiranë. Gjykata e Tiranës pranoi të hënën kërkesën e Prokurorisë për lënien e tij në masën e sigurisë “arrest në burg” deri në hetimin e plotë të ngjarjes. E njëjta masë sigurie u caktua edhe për tre të arrestuarit e tjerë, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari. Ata dyshohet të kenë bashkëpunuar dhe siguruar mjetet për realizimin e vrasjes.

Sipas ligjit, Efthimiou u ndihmua nga një përkthyese, që i transmetoi në greqisht gjithë ç’thuhej për të. Por momenti kur i komunikoi tre akuzat ngritura nga prokuroria, ai bëri një fytyrë të habitur, sikur po i dëgjontë për herë të parë.

Gjatë vijimit të seancës, e zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, greku mohoi çdo lidhje të tij me ngjarjen. Përmes avokatit ai këmbëguli se kishte ardhur në Shqipëri për turizëm. Qëndrim mohues për ngjarjen mbajtën edhe tre të akuzuarit e tjerë.

Ata kërkuan masa më të buta sigurie, ndërsa Efthimiou ofroi edhe një garanci pasurore prej 10 mijë euro për t’u hetuar jashtë qelive të paraburgimit. Të gjitha këto kërkesa u refuzuan. Qëndrimi mohues u pëforcua nga avokati i Efthimiou edhe jashtë sallës së gjyqit.

“Edhe ai është tepër i befasuar dhe i habitur pasi nuk ka assnjë dyshim edhe provë dhe nuk e lidh asnjë gje me faktin, të cilin ai akuzohet”.

Sipas Prokurorisë, katër të arrestuarit kanë konsumuar veprat penale të “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndeve narkotike”. Ata u arrestuan në 2 Shkurt nga operacioni policor të koduar “Enigma”, gjatë të cilit u sekuestrua edhe një arsenal armatimi./abcnews.al