Apeli i Krimeve të Rënda rikonfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 24 vjeçarin Mikel Shallari, i dyshuar si autori i vrasjes së komisarit Artan Cuku në prill të vitit 2017. Shallari kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë me pretendimin se prokuroria ka hetuar në tejkalim të afateve ligjore.
Në një hark kohor prej tre javësh, Mikel Shallari, 24 vjeçari i akuzuar për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku në 8 prill 2017, u përball me një tjetër vendim gjyqësor qe konfirmon qendrimin e tij në burg. Apeli i Krimeve të Rënda refuzoi të premten kërkesën e Shallarit për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg” me atë të “detyrimit për paraqitje”. Apeli la në fuqi vendimarrje e Shkallës së Parë të datës 17 nëntor 2017 ndaj 24 vjeçarit.
Gjatë shqyrtimit të ankimit, avokati i Shallarit ka vënë në dyshim provat e prokurorisë, duke pretenduar se ato kanë marrë jashtë afateve hetimore, pa pasur një vendim gjyqësor për zgjatje afati. Nga ana e tij, prokurori ka pretenduar se hetimi është bërë konform procedurës. Në lidhje me masën e sigurisë prokurori i ka thënë gjykatës se nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor që do të krijonte nevojën e lehtësimit të masës së sigurisë për Shallarin.
24 vjeçari Shallari u arrestua në 11 qeshor 2017. Prokuroria pretendon se ADN-ja e tij u gjet në rrobat e hedhura nga autori i dyshuar i ngjarjes pak metër larg vendit të vrasjes. Fillimisht Shallari pranoi autorësinë, por më vonë ai ndryshoi qëndrim, duke pretenduar se kishte dhënë deklarime në kushtet e dhunës fizike./abcnews.al
https://youtu.be/SoCPm5j2S3g