Vrasja e biznesmenit në Shkodër, policia shoqëron mbi 20 persona

schedule13:59 - 2 Shtator, 2018

schedule 13:59 - 2 Shtator, 2018

Më shumë se 20 persona janë shoqëruar pas vrasjes së biznesmenit Arian Ferracaku. Por nga marrja në pyetje e tyre nuk ka rezultuar asgjë që do të ndihmonte hetimet për kapjen e autorëve të këtij krimi.  Ndërkohë një burim i policisë i tha ABC News se gjasat janë që Arian Verracaku të jetë vrarë gabimisht. Megjithatë asgjë zyrtare deri tani për këtë fakt, pasi priten zhvillimet e hetimeve.

Arian Verracaku mund të jetë vrarë gabimisht. Ky është një nga versionet që po ndjek grupi hetimor referuar provave të deritanishme.

31 vjeçari rezulton pa probleme dhe pa implikime të paligjshme, ndaj për hetuesit, shënjestër e ekzekutimit duhet të kete qenë tjetër person, në atë territor ku po kalëronte Arian Verracaku.

Por ky nuk është një konkluzion përfundimtar dhe në polici është i lartë numri i personave që pyeten dhe që më pas lihen të lirë.

20 vetë u shoqëruan gjatë natës pas ngjarjes, por zyrtarë të policisë thonë se të tjerë njerëz janë në listën e atyre që do të merren në pyetje.

Megjithatë nga të gjithë të pyeturit asnjë prej tyre nuk ka afruar ndonjë detaj apo të dhënë që mund të çonte në kapjen e autorëve, apo dhe zbardhjen e plotë ngjarjes.

31 vjeçari u vra mesditën e të shtunës në zonën e Livadeve të Shkodrës në afërsi të liqenit.

Mbi të u zbrazën 15 plumba dhe shtatë nga to i prekën trupin duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Dy personat e tjerë që ndodheshin me viktimën identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkak të hetimit, shpëtuan. Kur ata u pyetën në polici, thanë se Verracaku u qëllua nga një person i pamaskuar, por që ishte në shoqërinë e disa të tjerëve. Ata nuk i kanë njohur.

Familjarët e  viktimës u kanë thënë hetuesve se nuk kishin konflikte me askënd dhe se 31 vjeçari kishte shkuar të kalëronte, pasi ishte i apasionuar pas hipizmit.

Brenda dy muajve në Shkodër janë vrarë gjashtë vetë, 4 prej të cilave të llojit mafioz. Kurse i vetmi i arrestuar është 30 vjeçari Alfred Pëllumbi, autor i vrasjes me thikë të fqinjit të tij Prendush Fusha.

Gazetar i ABC News, Shkodër Simon Shkreli

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!