Hetimet e policisë në lidhje Bujar Nasufin, 56-vjeçarin që u ekzekutua mbrëmjen e të dielës janë fokusuar në pistën e konflikteve për çështjet e pronësisë që I ndjeri mund të ketë pasur.
Grupi hetimor ka zbërthyer të tjera pamje filmike nga kamerat e sigurisë, pranë vendit ku u gjet motori i djegur që dyshohet se u përdor nga autori i krimit, me shpresën për të zbardhur detaje për ngjarjen.
Pas verifikimeve, motori që u përdor për vrasjen e Bujar Nasufit në zonën e Selitës, rezulton se ka qenë pa targa dhe pa numër shasie identifikuese, çka po vështirëson punën e hetuesve.
Deri tani, të shoqëruar kanë qenë vetëm familjarë dhe dëshmitarë të vendit të ngjarjes të cilët janë lënë të lirë pas deklaratave që kanë bërë në polici.
Një ekspertize po i nënshtrohet edhe arma e gjetur, tip automatike e kalibrit 9 milimetra, për të zbuluar nëse lidhet me ngjarje të tjera dhe nëse në të kanë mbetur gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e autorit.
/abcnews.al