Vrasja e 26 vjeçarit Indrit Çela, zbardhen dëshmitë e dy punëtorëve: E qëlloi Griseldo Kusi

schedule15:11 - 25 Gusht, 2019

schedule 15:11 - 25 Gusht, 2019

ABC News zbardh dëshminë e dy punëtorëve që po punonin me 26 vjeçarin Indrit Çela ditën kur i plagos me plumb në kokë dhe më pas humbi jetën. Sipas deklarimeve të tyre Griseldo Kusi e ka qëlluar me plumb në kokë 26 vjeçarin. Gjithçka ka ndodhur në katin e parë të vilës që po ndërtohej.

Abc News ka mundur që të zbardhë dëshmitë e dy punëtorëve që ishin të pranishëm në momentin e ekzekutimit të 26 vjeçarit. Deklarimet e këtyre personave hedhur dritë mbi dinamikën e vrasjes së Indrit Çelës, që nga momenti i montimit të kondicionerit, e deri në largimin e Griseldo Kusit nga vendi i ngjarjes.

Punëtori 1

“Gjithçka ka ndodhur në katin e parë të vilës së familjes Kusi në një nga banjat e katit të parë. Eldo erdhi si gjithmonë për të kontrollonte punimet. Unë dhe kolegu im ishim jashtë, pak metra më tutje. Griseldo na përshëndeti dhe më pas dëgjoi një zhurmë. Ai u nervozua dhe u largua në drejtim të vendit nga vinte zhurma. Në ato momente, Eldo ishte tepër i nervozuar. Punëtori i kondicionerëve ka qenë duke hapur një vrimë në mur me trapan. Kur Eldo u fut brenda në një nga banjat e katit të parë u dëgjua duke i bërtitur me zë të lartë punëtorit: Çfarë po bëhet këtu, pse po e bën atë vrimë në mur. Ku do ta nxjerrësh tubin e kondicionerit. Punëtori i tha: Nuk e di unë ku do të jetë shkarkimi, ka njerëz të tjerë përgjegjës. Ndërsa Eldo i tha se kur nuk e di ti nga ta di unë. Në këtë moment ai ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez, ia ka vënë në kokë punëtorit dhe e qëlloi. Më pas ka marrë gëzhojën dhe është larguar me shpejtësi”.

Të njëjtat deklarata ka dhënë edhe punëtori i dytë, dukë bërë fajtor të drejtpërdrejtë për vdekjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, Griseldo Kusin.

Punëtori 2

“Pasi na përshëndeti ne Griseldo iku i acaruar në drejtim të banjës ku dëgjohej zhurma e trapanit. Në momentin kur ai ka hyrë brenda është dëgjuar duke i bërtitur punëtorit të kondicionerëve, me zë të lartë me fjalët: Çfarë po bën, pse po e bën atë vrimë ku do e çosh tubin e kondicionerit, dhe më pas u dëgjua një krismë arme. Mesa më kujtohet Griseldo u largua me vrap dhe në dorë mbante një çantë me zinxhir ngjyrë të zezë. Unë i frikësuar u largova për në shtëpinë time”.

Fillimisht, policia dyshoi se autor i ngjarjes ishte Lorenc Veliaj, person me precedent të mëparshëm kriminale. Por pas arrestimit, ai ka treguar dinamikën e ngjarjes, sipas së cilës, autorë ishin vëllezërit Kusi.

Veliaj do të qëndrojë në burg për tre vepra penalë që nuk kanë lidhje me këtë ngjarje./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!