Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për sot

schedule07:18 - 12 Shkurt, 2025

schedule 07:18 - 12 Shkurt, 2025

Vendi ynë që në orët e para të mëngjesit do të jetë nën ndikimin e vranësirave të shumta, të cilat pritet të jenë dominante përgjatë gjithë 24 orëshit. Gjithashtu kemi rritje të ndjeshme të lagështirës në ajër e cila herë pas here do të krijojë mundësi për reshje shiu në Ultësirën Perëndimore, ku në zona të izoluara do të ketë edhe rrebeshe të përkohshme. Ndërsa në zonat malore në Verilindje dhe Juglindje të Shqipërisë do të ketë reshje të pakta dëbore.

Temperaturat e ajrit do të mbeten të pandryshuara në orët e mëngjesit, por do të rriten lehtë në mesditë duke u luhatur nga -3°C vlera më e ulët deri në 15°C vlera më e lartë në rang vendi. Era do të fryjë e mesatare deri e fortë në det duke arritur shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi Jugor – Juglindor, për pasojë në brigjet detare do të krijohen dallgë 4 ballë.

Kosova

Që në orët e para të mëngjesit Republika e Kosovës do të jetë nën dominimin e vranësirave të shumta. Parashikohet që vranësirat të pësojnë zhvillime të herëpashershme dhe të sjellin reshje dëbore në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës. Por pritet që reshjet më të dukshme të jenë në pjesën e dytë të ditës, ku kryesisht do të jenë të fokusuara në zonat Veriore dhe Lindore. Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes, por do të rriten lehtë në mesditë duke u luhatur nga -5°C minimalja e shënuar në qytetin e Podujevës deri në 9°C vlera maksimale e cila do të shënohen në Gjakovë. Era do të fryjë e fortë si paradite edhe gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi Jugor kryesisht.

Maqedonia e Veriut

Pjesa e parë e ditës në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira të shumta të cilat do të pësojnë zhvillime duke sjellë reshje të izoluar dhe të përkohshme në pothuajse të gjithë vendin. Por pas mesdite parashikohet që reshjet të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin, ku më të theksuara pritet të jenë në Veri dhe pjesërisht në zonat qendrore. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të mbeten të pandryshuara gjatë mëngjesit, por do të rriten në mesditë duke u luhatur nga -5°C vlera minimale deri në 8°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor – Juglindor.

Evropa

Kontinenti europian në pjesën më të madhe të tij parashikohet të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke sjellë në Europën Veriore dhe Lindore vranësira të shumta të cilat do të gjenerojnë reshje dëbore. Poashtu me reshje dëbore paraqiten Alpet e Europës dhe pjesërisht Europa qendrore. Gjithashtu me reshje shiu priten të jenë Ishujt Britanik dhe pjesa më e madhe e Europës Jugore. Ndërsa me mot të qëndrueshëm do të jenë pjesërisht Brigjet e Egjeut dhe Europa Veriperëndimore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!