Mesditën e së hënës, gjykata në Durrës do të japë masat e sigurisë për Hysen, Amarildo dhe Hygerta Metë, të cilët akuzohen për vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta, 50 vjeç.
Gazetari i ABC News, Leonidha Musaj raporton se policia në qytetin bregdetar ka dyshime se ngjarja nuk ka ndodhur për shkak se Pëllumb Meta donte ta fejonte vajzën pa dëshirë, por se fshihet diçka tjetër.
“Policia ka dyshime se diçka tjetër fshehin familjarët. Rreth mesditës se sotme pritet të mbahet masa e sigurisë për dy vëllezërit dhe motrën 19-vjeçare, të cilët u arrestuan ditën e premte. Asnjë nga pistat nuk përjashtohet, policia është hermetike sa i përket dhënies së informacionit”, raportoi gazetari Musaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 shkurt në Shënavlash, por u zbulua disa ditë më pas, pasi djali i madh i familjes Meta denoncoi humbjen e kontakteve me kryefamiljarin.
50-vjeçari u vra nga djali i tij që më pas u ndihmua nga vëllai, motra dhe nëna për të groposur trupin e babait në kasollen e banesës dhe më pas për të zhdukur gjurmët.
Hysen Meta, pasi është ballafaquar me provat ka pranuar vrasjen. Në armën e krimit janë gjetur shenjat e gishtërinjve.
25-vjeçari ka deklaruar se ka pasur një konflikt mes tyre dhe nga debatet e shumta ka marrë armën dhe ka qëlluar me katër plumba në drejtim të babait.
Arma e zjarrit u gjet në një zonë kënetore dhe ishin provat shkencore që hodhën dritë mbi këtë ngjarje të rëndë./abcnews.al