Të martën e ardhshme, 23 shtator, Këshilli Bashkiak do të mblidhet për të marrë një vendim lidhur me shkarkimin e kryebashkiakut tashmë në detyrë, të Tiranës, Erion Veliaj. Veliaj ndodhet prej rreth 7 muajsh në paraburgimin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij në Asamablesë e PS, kryeministri Rama tha se në Tiranë duheshin zgjedhje të parakohshme, duke përzgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate.
Por, nga qelia Veliaj me anë të një letre ka shprehur kërkesën se dëshiron të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, dhe se do të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, madje edhe në Strasburg.
E ftuar në “Tirana Live” në ABC Neës, avokatja Brizida Gjikondi tha se pjesëmarrjen në mbledhje nuk e lejon ligji, duke specifikuar rastet kur një i burgosur mund të marrë leje. Gjithashtu ajo shtoi, se me anë të kësaj kërkese Veliaj kërkon të bëjë presion. Sipas saj ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë që u paraqit në SPAK.
“Veliaj ka bërë shoë si gjithmonë. Nëse kërkon të shkojë pranë Këshillit bashkiak nuk e lejon ligji. Lejet jepen vetëm për shkaqe personale, lindje, vdekje, martese dhe nëse do të bëjë një provim. Dimë dhe rastin e Belerit që donte të bënte betimin, dhe nuk mundi. Është për të ardhur keq që ngrihet një lloj tensioni i tij. Veliaj hallet i ka personale me Ramën dhe PS. Nëse Veliaj vërtet do që të dëgjohet fjala e tij, mund të bëjë një status në Facebook, siç ka bërë gjithmonë, ose le t’u çojë letër avokatëve të tij dhe ta lexojnë në këshill. Veliaj që ditën e parë që u paraqit në SPAK duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Nuk ka pse të bëjë presion, aty ku mbahej me bukë. Veliaj duhet ta shikojë politikisht këtë çështje. Jemi gjithmonë në kuadrin e një presioni që nuk të lë një shije të mirë. Shkarkimi i tij është një fakt i pakthyeshëm. Në letër thotë që do shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, dhe nuk e bën dot sepse nuk ka asgjë në rregull me ligjet shqiptare. Nuk mund të mbajë peng gjithë vendimmarrjen dhe Bashkisë së Tiranës. Veliajt i është dhënë një tolerancë e madhe, nuk mund të mbahet më peng bashkia”, tha Gjikondi./abcnews.al

