Vota e Shqipërisë në OKB/Basha: Qëndrim i gabuar

schedule12:00 - 22 Dhjetor, 2017

schedule 12:00 - 22 Dhjetor, 2017

Për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, nuk duhet të ishte ky qëndrimi i Shqipërisë lidhur me votën në OKB për çështjen e Jeruzalemit. Sipas tij, deri më sot Shqipëria ka mbështetur linjën amerikane, gjithmonë në mbrojtje të interesave të vendit.

Kryedemokrati Lulzim Basha artikuloi qëndrimin e tij sa i përket votës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për rezolutën kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga presidenti amerikan Donald Trump. Basha kujton kohën kur drejtonte dikasterin e marrëdhënieve me jashtë.

“Sot për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim, ndryshe nga sa thotë z.Bushati. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me qëndrimin e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian. Qëndrimi im personal është që ky është një qëndrim i gabuar”.

Për arsyen i vjen në ndihmë eksperienca si shef i dikasterit të marrëdhënieve me jashtë në kohën e qeverisjes demokratike dhe ajo, sipas Lulzim Bashës, nuk ka të bëjë me thelbin e çështjes por me interesin e shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Për çështjet e Lindjes së Mesme Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite një qëndrim të rreshtuar gjithmonë me qëndrimin amerikan. Këtu e kam lënë unë si ministër i Jashtëm dhe në dijeninë time deri sot këtu ka qenë.

Interesi i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, deri më sot, janë shërbyer në avancimin e tyre nga një aleat strategjik dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa SHBA-të Kosova sot nuk do të ishte as e lirë, as e pavarur. Kjo është bindja ime. Pa SHBA-të, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s.

Duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve”.

Kryetari i opozitës njeh objektivin e rradhës sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, por ndryshime të tilla në linjë mbështetje, vijnë përmes kushtëzimeve diplomatike – thekson Basha.

“Për sa kohë që Bashkimi Europian nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme dhe, në dijeninë time, ne kemi vende të Bashkimit Europian, të cilat kanë votuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte asnjë arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrim dhe të mos vazhdonte bazimin e politikës së saj të jashtme, në lidhje me çështjet e saj kryesore të Lindjes së Mesme, tek qëndrimi i amerikan”.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ky qëndrim i tij vjen jo si opinion për zgjidhjen e çështjes së Jeruzalemit apo konfliktit Palestinë-Izrael, por për të mbrojtur interesin kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe interesin e kombit shqiptar./abcnews.al