Ditën e sotme KQZ dhe OSCE Presence in Albania organizuan konferencën kombëtare të nivelit të lartë me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani.”
Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të Kuvendit, partive kryesore politike, institucioneve shtetërore, diasporës, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe ekspertëve dhe aktorëve të shoqërisë civile, dhe u diskutua mbi çështje që lidhen me krijimin e kushteve dhe zbatimin e masave, për të mundësuar votimin jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.
Në fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i KQZ, Ilirian Celibashi u shpreh se ky proces (sigurimi i votës së emigrantëve) nuk mund të realizohet nëse nuk konsiderohet nga të gjithë faktorët pjesëmarrës në këtë proces. Ai shtoi se politika ndikoi në mosvotimin nga jashtë dhe se palët kanë treguar pasiguri.
Celibashi: Përfshirja në Kodin Zgjedhor e këtyre rregullave u bë vetëm pak muaj përpara datës së pritëshme të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021. Edhe pse koha ishte thuajse edhe teorikisht e pamjaftueshme, qoftë edhe vetëm për përgatitjen e zgjedhjeve brenda vendit, KQZ u angazhua seriozisht dhe me përgjegjësi institucionale për të krijuar të gjitha kushtet rregullatore dhe ato teknike për të mundësuar votimin nga jashtë edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021. E nga ana tjetër, tej deklarimeve publike të bëra nga politika, dukej qartë që ajo akoma nuk ishte e përgatitur për të pranuar dhe për më tepër për të punuar për realizimin e këtij procesi. Ky qëndrim i tyre ndikoi edhe ai në mos realizimin e votimit nga jashtë në ato zgjedhje. Në fakt për të qënë realist ky qëndrim i tyre e ka një justifikim të përligjur deri diku. Pasiguria dhe mosbesimi që palët kanë kundrejt njëra-tjetrës për procesin zgjedhor brenda vendit, janë natyrshëm në një shkallë më të lartë në rastin e votimit nga jashtë.
Celibashi i bëri thirrje të gjitha partive she palëve të interesuara që të bashkohen në proces.
Celibashi: KQZ është e vendosur dhe e ka bindjen e plotë se përmbushja e përgjegjësive të saj institucionale në lidhje me votimin nga jashtë, nuk mundet të jetë e plotë dhe e dobishme nëse në rrugën e përmbushjes së tyre ne nuk konsiderojmë të gjithë faktorët e interesuar në këtë proces. Partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare, janë të ftuara për të qenë pjesë e përgatitjes së procesit të votimit nga jashtë. Gjithë kuadri rregullator për votimin nga jashtë do të konsultohet që në fazën e draftimit me të gjithë grupet e interesit, përfshi këtu edhe partitë politike.
Ai shtoi se KQZ synon që ky proces të përfundojnë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen (2023.)
Celibashi: Ne synojmë që këtë proces ta përfundojmë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen. Në pamje të parë duket se është një periudhë kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të ndërtuar gjithë arkitekturën rregullatore dhe normuese të këtij procesi, por nuk është kështu. Ne do të duhet të dakortësohemi të gjithë për rregullat që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve nga jashtë, me procedurat dhe mënyrën e votimit, llogaritjen dhe tabulimin e rezultatit, etj. Pak a shumë do të na duhet të miratojmë një kod zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Dhe ne të gjithë e dimë që kjo nuk është një gjë e thjeshtë në Shqipëri.
Celibashi bëri me dije se përgatitja e infrastrukturës teknike kërkon një proces konsultimi të gjerë me të gjithë faktorët. KQZ do të ndërtojë një strukturë të konsultimit peroidik me të gjitha palët e interesuara për votimin nga jashtë.
/abcnews.al/