Dritan Trimçev, zv. president i diasporës në Itali, deklaroi në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News se Samiti i Katërt i Diasporës, që po mbahet në Tiranë deri më 15, përbën një moment të rëndësishëm për shqiptarët jashtë vendit.
Ai e cilësoi të drejtën e votës së diasporës si një arritje të madhe, por theksoi se përfaqësimi i drejtpërdrejtë në Parlament mbetet ende një sfidë. Trimçev ndaloi gjithashtu te problematikat me pensionet në Itali, duke nënvizuar mungesën e komunikimit dhe pasiguritë që përjetojnë emigrantët.
Sipas tij, marrëveshjet ekzistuese nuk i mbulojnë të gjitha rastet specifike, çka krijon vështirësi të shumta për diasporën.
“E drejta e votës së diasporës është një arritje e madhe. E drejta tamam është kur ne të kemi përfaqësuesit tanë në parlamentin shqiptar. Me çështjen e pensioneve në Itali, ka shumë problematika, edhe pse kjo ishte një arritje e madhe. Problemi është se ata jetojnë në një pasiguri, mungon komunikimi.
Nuk ka komunikim direkt, ku t’i dërgohet një mesazh të dërguarit. Ka situata nga më të ndryshmet, që marrëveshja nuk i ka trajtuar, sepse është e pamundur që marrëveshja t’i trajtojë të gjitha. Ka shumë problematika, sepse ka raste shumë të veçanta. Një problem shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai.


