Bashkimi Evropian ka propozuar paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, duke synuar veçanërisht sektorin bankar, rrjetet e kriptomonedhave, industrinë e dronëve dhe tregtinë e naftës, raportoi “Reuters”.
Paketa e re parashikon vendosjen në listën e zezë të 170 individëve dhe entiteteve, përfshirë rreth 90 banka ruse, numri më i madh i institucioneve financiare të sanksionuara në një paketë të vetme, deri më tani.
Nëse miratohet, numri total i bankave ruse të goditura nga sanksionet e BE-së, do të kalojë 100, më shumë se gjysma e 213 huadhënësve rusë, të lidhur me sistemin financiar ndërkombëtar.
Bankat e përfshira, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndalimit të transaksioneve dhe kufizimeve të udhëtimit.
Propozimi do t’u paraqitet nesër ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa miratimi kërkon unanimitetin e të 27 vendeve anëtare.
BE-ja synon t’i japë një goditje të rëndë sistemit financiar rus, duke vendosur ngrirje të aseteve, për rreth 90 banka dhe ndalime shtesë transaksionesh, për më shumë se 30 banka në Rusi dhe vende të treta.


