Sipas agjencisë së statistikave, “Our World in Data”, deri me datë 6 Mars ishin administruar rreth 40.2 milion doza në 27 vendet e BE-së, krahasuar me 87.9 milion në SHBA, dhe 22.9 milion në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkaq, gjiganti farmaceutik Pfizer e ka rritur nivelin e prodhimit të vaksinave, dhe Komisioni Europian njoftoi muajin e kaluar se do të shtonte dërgesat në bllok me 200 milion doza të tjera këtë vit, ndërsa Moderna, vaksina e tretë e miratuar aktualisht nga rregullatori i BE, do të rrisë gjithashtu dërgesat e saj në 2021 me 150 milion doza. Me ritmet e programuara të prodhimit, kompanitë kanë premtuar se mund të sigurojnë 860 milion doza vaksinash deri në fund të vitit.
Nga ana tjetër, AstraZeneca ka pasur mjaft vonesë në dërgesat e vaksinave për bllokun e BE, duke dërguar vetëm gjysmën e sasisë së premtuar në tremujorin e parë të vitit, dhe përfaqësues të saj kanë shtuar se nuk do të arrijnë dot të përmbushin objektivin për sigurimin e sasisë së kontraktuar me BE-në, edhe në tremujorin e dytë të vitit. Astra Zeneca lidhi kontratë me BE, për t’i siguruar bllokut të paktën 300 milion doza brenda një viti.
Vonesat në prodhim nga AstraZeneca detyruan autoritetet italiane javën e kaluar që të bllokonin një ngarkesë me vaksinat e kompanisë, adresuar për në Australi.
Nisur nga nevoja, disa Shtete anëtare të Bashkimit Europian i kanë kthyer sytë për t’u furnizuar me vaksinën ruse dhe me atë kineze, pavarësisht se të dy këto vaksina nuk janë aprovuar nga Agjensia Europiane e Barnave.
Ndërkaq, Agjensia Europiane e Barnave ka njoftuar javën e kaluar se ka nisur procesin e vlerësimit të vaksinës ruse Sputnik V, dhe është në prag të aprovimit të vaksinës së Johnson & Johnson brenda kësaj jave./abcnews.al