Von Cramon: Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë, dialogu i brendshëm është zgjidhja

schedule12:05 - 29 Maj, 2023

schedule 12:05 - 29 Maj, 2023

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të tërheqin forcat speciale të Policisë dhe të ulën në tavolinë për të negociuar. Sipas saj, dialogu është e vetmja mënyrë për të dalë nga gjendja e krijuar në veri të Kosovës.

Eurodeputetja po mban një konferencë për media në Prishtinë, në të cilën ka ritheksuar mbështetjen për Pavarësinë e Kosovës, si dhe integritetin dhe sovranitetin në tërë territorin e saj.

“Dialogu brenda Kosovës është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje dhe kjo është arsyeja pse unë të paktën u bëj thirrje autoriteteve kosovare që të mendojnë për të marrë masa për ndërtimin e besimit, për shembull siç është tërheqja e forcave speciale të Policisë dhe të ulen në tavolinën e negocimit. Të gjitha palët e përfshirja duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të zgjidhur këto çështje të pazgjidhura dhe për të promovuar një rajon paqësor dhe me prosperitet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se partnerët e Kosovës janë të brengosur, dhe sipas saj, Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me veprimet e saj në veri.

Raportuesja për Kosovën ka përsëritur mbështetjen e fuqishëm për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e vendit.

“Ju të gjithë e dini se unë jam mbështetëse e fuqishëm e Pavarësisë së Kosovës dhe unë mbështes integritetin dhe sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj, megjithatë unë vizitova dje veriun dhe sinqerisht jam shumë e brengosur, dhe jo vetëm unë. Është situatë shumë e vështirë dhe vërtetë e tensionuar, shumë njësi të njësisë speciale, automjete të blinduara, janë të vendosur në veri”ka deklaruar ajo./KosovaPress/