Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi kallëzon në prokurori drejtuesit e Policisë së Shkodrës. Burime bëjnë me dije për gazetarin Simon Shkreli për ABC se kallëzimi ka ardhur për shkak se Ademi akuzon uniformat blu se nuk kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën kur disa të rinj të panjohur sulmuan selinë e Partisë Socialiste.
Ajo thotë se policia ndenji me duar në xhepa duke parë dhunimin e selisë pa bërë asnjë veprim dhe se nuk i janë përgjigjur thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë pulblike.
“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”– thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.
Ademi kërkon procedim penal të punonjësve të policisë së Shkodrës dhe drejtuesve të këtij institucioni për veprën penale, “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”./mv.abcnews.al