Uniformat blu kanë veshur petkun e një bande në Shkodër. Akuza i bëhet nga qytetarja e parë e Shkodrës Voltana Ademi referuar përplasjeve të dy ditëve të fundit për lirimin e ambienteve të KZAZ.
“Deri më tani nuk ka asnjë urdhër, ata veprojnë në bazë të urdhrave kriminale politike të kryeministrit të shqipërisë”, tha Ademi.
Nëse nuk i përgjigjen kërkesës zyrtare që i kanë dërguar Policisë së Shtetit dhe konkretisht Drejtorisë Vendore të Policisë që të mbështesë në lirimin e hapësirave të cilat shërbejnë si KZAZ, bashkia Shkodër paralajmëron se nuk do të vonojë kundërpërgjigja.
“Policia duhet të veprojë sipas ligjit, përndryshe pastaj, gjithsecili prej nesh do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, administrative për tu përballur me atë që është e jashtëligjshme, qofshin ata edhe punonjës të policisë së shtetit. si qytetare dhe kryebashkiake e bashkisë së Shkodrës jam e gatshme të udhëheq të gjithë qytetarët për të mbrojtur qytetin e vet”, deklaroi ajo.
Kryebashkiakja e Shkodrës sqaron se ka informuar të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. Si drejtuesja e qeverisë vendore në kryeqendrën e veriut thotë se do të zbatojë dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit./ABC News Albania 24/7