Erblira Bici është volejbollistja nga Gramshi që po korr sukses me ekipin e Romës. Në një lidhje me Skype nga Italia për “ABC e Mëngjesit”, ajo tregoi të gjithë historinë e jetës së saj, se si nisi volejbollin dhe si u bë pjesë e ekipit italian.
“Në moshën 10-vjeçare kam nisur sportin në Gramsh, deri në moshën 15-vjeçare kam qenë në Gramsh, më pas me ekipin e Tiranës.
Ka qenë një rastësi se shoqen time të ngushtë e kishin regjistruar në volejboll dhe më tha mami: ‘Mund të ikësh me Albën në volejboll sesa të rrish të luash në lagje’.
Unë jam 1.86 e gjatë dhe jam e shkurtër për kampionatin këtu. Pasi këtu vajzat janë mbi 1.90 të gjata.
U realizuan ndeshjet e kombëtares dhe aty më shikon menaxheri që kam tani dhe më bën ofertën për në Itali dhe e pranoj. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se volejbollin e bëja për qejf se mendoja që do më bëhej profesion. Kur menaxheri më tha për në Itali, nuk kisha vetëbesim në vetvete dhe i thash: ‘Nuk e bëj dot, nuk është për nivelin tim’. Më pas e provova një herë vitin e parë.
Sa i përket ofertës nga ekipi i Romës bukur e prita ofertën e parë, por kisha vendosur të rrija te ekipi ku isha. Po trajneri tentoi të më mbushte mendjen nga ana financiare dhe e provova”, u shpreh Erblira./abcnews.al