Volejboll, për herë të parë në finalet e Ligës së Europës

schedule12:30 - 31 Maj, 2018

schedule 12:30 - 31 Maj, 2018

Kombëtaret shqiptare të volejbollit arritën një sukses dhe një dështim. Skuadra e vajzave u kualifikua për në gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ndërsa djemtë u eleminuan.

Nuk kishim arritur ndonjëherë deri këtu.

Edhe pse kohët e Ela Tases apo Mimoza Ibrahimit janë ende larg, sërish volejbolli shqiptar i vajzave sapo hodhi një hap të madh përpara.

Fitorja ndaj Izraelit në Tiranë na kualifikoi për në gjysmëfinalet e Ligës së Europës, duke lënë pas pikërisht Izraelin dhe Gjeorgjinë.

Mbi ne, vetëm Austria, për momentin e pakapshme.

Në Sallën Sportive “Feti Borova” në kryeqytet, fitorja ishte 3-1, dhe me pikët e seteve 25-23, 25-19, 27-29 e 25-16.

Lojtare si Bici, Thaka, Marina, Tuci apo kapitenia Arjola Prenga, por edhe gjithë të tjerat merituan një lavdërim të madh.

Po ashtu edhe dyshja e trajnerëve, Altin Martiri e Roland Tarja.

Përse ky sukses?

Më shumë sesa për forcimin e kampionatit, meritën e kanë vajzat që kanë luajtur apo luajnë jashtë si Prenga, Bici, Thaka apo Marina.

Skuadra shqiptare arriti kualifikimin duke pasur tri fitore në grupin B, ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi dhe dy herë ndaj izraeliteve, si dhe një humbje kundër Austrisë.

Vajzat kuqezi presin të njohin kundërshtarin në gjysmëfinalet e Ligës së Argjendit dhe të ngjiten një shkallë më lart, për të konkurruar në të ardhmen në Ligën e Artë.

Në 2 qershor ekipi i trajnerit Martiri luan në fushën e Austrisë, ndërsa në më pas do të presë Gjeorgjinë në Tiranë.

Më në fund, në muajin Gusht, Shqipëria do të nisë eleminatoret e Europianit, në grup me Austrinë, Kroacinë dhe Zvicrën.

E kundërta ndodhi me skuadrën e meshkujve, e cila u mund po në kryeqytet nga Bjellorusia, dhe u eleminua nga vazhdimi i Ligës së Europës.

Të besuarit e trajnerit Jani Melka mbajnë vendin e tretë në grup dhe mund të lenë prapa vetëm Hungarinë, ndërsa Kroacia e Bjellorusia shkojnë në gjysmëfinale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!