VOA: Miratohen ndryshimet kushtetuese për vettingun, PD kishte shmangur të shprehej

schedule20:31 - 10 Shkurt, 2022

schedule 20:31 - 10 Shkurt, 2022

Në Shqipëri parlamenti votoi me një shumicë dërrmuese votash (118 në favor dhe 4 abstenime) ndryshimet kushtetuese që lejojnë zgjatjen mandatit të disa institucioneve të Vettingut, Komisionit të PavArur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerëve publik. Këto ndryshime ishin propozuar nga shumica socialiste, dhe për miratimin e tyre nevojiteshin të paktën 94 vota (dy të tretat e parlamentit), gjë e cila u bë e mundur pas vendimit që mori sot Partia Demokratike e drejtuar nga zoti Lulzim Basha, për të mbështetur zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve të Vettingut deri në fund të vitit 2024. Votimi në parlament u përshëndet menjëherë si nga ambasada amerikane në Tiranë, ashtu dhe nga Delegacioni e Bashkimit europian dhe OSBE-ja, të cilat kishin bërë thirrje të përsëritura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Kritike ndaj reformës në Drejtësi, Partia Demokratike, deri më tani, kishte shmangur të shprehej për çështjen e zgjatjes së mandatit të institucioneve të Vettingut, madje përfaqësuesit e saj kishin bojkotuar pjesmarrjen në mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve ku u zhvilluan disa seanca mbi këtë çështje.

Vetëm sot, kryetari demokrat Lulzim Basha, pas një mbledhjeje të grupit të vet parlamentar deklaroi se vota e tyre do të jetë në favor. “Sot nuk është drejtësia që duam, por do të ishte akoma më keq në qoftë se një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar do mbetej në mes dhe o kështu do të ndërprehej integrimi europian i vendit”, u shpreh zoti Basha.

Vendimi i demokratëve vjen ndërsa dy ditë më parë , ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit europian, i bënë thirrjen e fundit deputetëve shqiptarë, përmes një deklarate të përbashkët, që të mbështesin zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut, duke nënvizuar se “kjo nuk është çështje partiake” dhe se “vota për zgjatjen e vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

Ish kryeministri Sali Berisha, i cili mbështetet dhe nga deputetët të tjerë demokratë foli me tone të forta kritike për Reformën në Drejtësi, dhe pasojat, sipas tij katastrofale, që ka sjellë procesi i Vettingut, i kontrolluar siç u shpreh, nga kryeministri Edi Rama, duke aluduar më pas hapur për një marrëveshje mes shumicës dhe zotit Basha. “Vetëm 24 përqind e shqiptarëve i besojnë sot Reformës në Drejtësi. Vetëm 7 përqind e atyre që nuk votojnë, besojnë në pseudoreformën e George Sorosit dhe Edi Ramës. A e dini që Reforma është një nga shkaqet kryesore të spastrimit etnik të Shqipërisë. Atëherë më mirë, keni vendosur ta votoni, ndërprisni diskutimet dhe votoni, por mos përdorni mikrofonin për hipokrizira dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi zoti Berisha.

Sipas legjislacionit në fuqi, në përfundim të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kompetencat e tij për procesin e rivlerësimit i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për gjykatësit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, (KLP) në rastin e Prokurorisë. Ndërsa funksionet e Komisionerëve publik i kalojnë Prokurorisë së Posaçme. Por siç vëren dhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij për këtë çështje, një gjë e tillë do të rrezikonte standartet dhe praktikat e ndjekura deri tani.

Për socialistët, ndryshimi i propozuar ka vetëm efekt rregullues për të garantuar vazhdimësinë e procesit. “Propozimi në fakt konsiston në shtyrje afati që nuk prek thelbin e procesit të Vettingut dhe as standartet që kërkohen prej një procesi të tillë. Kjo do të thotë se thelbi i dispozitës kalimtare kushtetuese nuk ndryshon. Eshtë vetëm një menaxhim i mirë i kohës dhe përfundimit të vlerësimit kalimtar nga të njejtat organe që e nisën atë”, shpjegoi kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka.

Aktualisht, afati i funksionimit të institucioneve të Vettingut është qershori i këtij viti, por sipas përllogaritjeve, deri në atë periudhë, më shumë se 25 përqind e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk do i janë nënshtruar ende rivlerësimit. Sipas propozimit, ky afat do të shtyhet deri në fund të vitit 2024. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!