Një nga urat më të vjetra e ndërtuar mbi Shushicë për t’u dhënë mundësi banorëve të atyre kohëve të lëviznin, rrezikon të dëmtohet. Ura mban statusin e Monumentit të Kulturës dhe ka vetëm pak vite që është restauruar.
E ndërtuar në shekullin XVIII, Ura e Slapit në Mavrove po rrezikohet. Inertet që grumbullohen nga punimet në lumin e Vlorës janë depozituar pranë saj.
Ura është e tipit me një hark me dopio qemer dhe në të dy anët e harkut ruhet nga një kamare. Objekti mban statusin e monumentit të Kultures.
Në Drejtorinë Rajonale të Kulturës rasti i depozitimit të mbetjeve inerte njihet. Por drejtuesit thonë se problemi po ndiqet, se ura po ruhet.
Drejtor i Kulturës në Vlorë, Orges Feimi: “Problematika ka qenë në pjesën e shtrirjes së pjesës së vjetër, por gjatë punimeve në lidhje me aksin e ri të lumit të Vlorës ka pasur inerte që janë depozituar përgjatë urës”.
Në kohët e shkuara përgjatë rrjedhës së Shushicës për të siguruar kalimin e njerëzve dhe mallrave në të dy brigjet e lumit janë ngritur disa ura.
Drejtor i Kulturës në Vlorë, Orges Feimi: “Janë marrë disa masa që këto dy monumente të behën pjesë integrale e projektit të lumit të Vlorës që të vizitohen nga të gjithë”.
Përveç funksionit praktik, mjeshtëria e ndërtimit të tyre dëshmon dhe për një shije të lartë estetike të banorëve të krahinës së Labërisë.
Drejt urës së Slapit mund të shkohet me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nga qyteti i Vlorës drejt fshatit Mavrovë. /abcnews.al