Vlora, shtëpia e dytë e ukrainasve/ Pavlo Neyev: Më pëlqen shume ky qytet

schedule21:01 - 8 Shkurt, 2025

schedule 21:01 - 8 Shkurt, 2025

Vlora po bëhet shtëpi e dytë për një numër të madh ukrainasish, të cilët kanë gjetur këtu siguri dhe një jetë të re larg luftës.

Klima e ngrohtë, mikpritja e banorëve dhe mundësitë e jetesës i kanë bërë ata të ndihen të mirëpritur dhe t’i shohin perspektivat e tyre të ardhshme në këtë qytet bregdetar. Për shumë prej tyre, Vlora nuk është thjesht një ndalesë e përkohshme, por një vend ku po ndërtojnë një rutinë të re dhe një jetë më të qetë.

Njëri prej tyre është Pavlo Neyev, një 38-vjeçar nga Ukraina, i cili prej më shumë se gjashtë muajsh jeton në Vlorë me bashkëshorten e tij. Ai është një nga ata që e ka gjetur veten mes kulturës dhe stilit të jetesës shqiptare, duke ndjerë një lidhje të veçantë me këtë vend.

“Më pëlqen shumë klima këtu, është e preferuara ime. Nuk punoj, thjesht shijoj ditët duke bërë shëtitje ose duke dalë me biçikletë diku. Jam këtu bashkë me gruan time dhe ndoshta në të ardhmen do të vendosemi në Vlorë, sepse më pëlqejnë shumë njerëzit dhe atmosfera në Shqipëri”, tha ai.

Pavlo u largua nga Ukraina pak përpara se të shpërthente lufta dhe që atëherë ka eksploruar vende të ndryshme të botës, duke udhëtuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai ka parë dhe përjetuar shumë kultura të ndryshme, por në Shqipëri ka gjetur diçka të veçantë, një ndjesi ngrohtësie dhe sigurie që e ka bërë të ndihet si në shtëpi.

“U largova nga Ukraina para se të fillonte lufta dhe që atëherë kam udhëtuar nëpër botë me gruan time. Kam shumë miq në Ukrainë dhe flasim shpesh me telefon. Aktualisht, gruaja ime ndodhet në Ukrainë për t’u takuar me nënën e saj, dhe po përpiqem të mos mendoj për rrezikun që mund të ketë atje”, theksoi ai

Pavlo është i vetëdijshëm se në Vlorë ekziston një komunitet i madh ukrainas, dhe kjo e ka ndihmuar të ndihet më pak i vetëm.

“E di që në Vlorë ka një komunitet të madh ukrainas. Kam udhëtuar për më shumë se dy vjet e gjysmë, duke eksploruar të gjithë Evropën, si dhe vende si Turqia dhe Gjeorgjia. Këtë dimër vendosa ta kaloj në Vlorë dhe deri tani po e shijoj shumë”, theksoi ai.

Qyteti bregdetar, me atmosferën e tij të qetë dhe peizazhet mahnitëse, po bëhet një strehë e ngrohtë për shumë të huaj, të cilët, ashtu si Pavlo, po e zbulojnë Shqipërinë jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një vend të mundshëm për të nisur një kapitull të ri në jetën e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!