Vllaznia po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe kryeson Kategorinë Superiore. Skuadra shkodrane ndodhet në rrugën e duhur për t’u rikthyer në kompeticionet evropiane pas një kohe të gjatë, por licencimi i klubit kuqeblu është në rrezik.
Këshilli Bashkiak është mbledhur ditën e sotme. Një nga pikat e diskutimit në mbledhjen e sotme ka qenë rishpërndarja e fondeve të bashkisë dhe synohet që 820 milion lekë të kalojnë për klubin e Vllaznisë, në mënyrë që të mbyllen detyrimet e prapambetura për sigurimet dhe tatimet.
Këshilli Bashkiak Shkodër votoi me 33 vota kundër kërkesën e kryetares Voltana Ademit për miratimin e fondit prej 820 milion lekësh për klubin e futbollit Vllaznia. Këshilltarët kanë kërkuar një detajim më të qartë për shumën që kërkohet për Vllazninë, duke refuzuar futjen në rendin e ditës të kërkesës së kryetares.
“Procedura thotë që duhet diskutuar të futet në diskutim apo jo. Relacioni pati pikëpyetje për shkak se mungon një informacion i detajuar. Bëhet fjalë për detyrimet shoqërore dhe detyrimet tatimore për klubin e futbollit Vllaznia.
Detyrimet janë të publikuara, bilancet janë të QKR. Mund t’i them nëse më jepet mundësia, nëse futet në rendin e ditës. Pyetja është a do futet në rendin e ditës, më pas flasim me detaje e shifra. Në kuadër të licencimit të Vllaznisë duhet paguar detyrimet tatimore, kemi folur për çështje teknike të marrëveshjes që duhet të firmoset.
Bashkia është e gatshme të nënshkruajë, pasi Vllaznia vetëm atë borxh ka dhe është pengesë për licencimin për të luajtur në kupat e Europës. Mendoj se duhet futur në rendin e ditës. Të dhënat i kemi nga Drejtoria e Tatimeve, mund t’ua vëmë në dispozicion. Në fund të fundit i paguajmë paratë për shtetin dhe është një e mirë për të gjithë. Them se mund ta rishikojmë vendimin për ta futur në rendin e ditës.“, deklaroi Ademi. /abcnews.al