“Vllaznia në shina, unë rri edhe pa lek këtu! Mora garancitë që doja”

schedule14:58 - 9 Qershor, 2020

schedule 14:58 - 9 Qershor, 2020

Hysen Dedja, trajneri i ri i Vllaznisë, u prezantua sot para gazetarëve në Shkodër. Hapur ai e pranoi se u emocionua për ofertën që mori dhe thekson se e ka parë skuadrën, që sipas tij ka brumë dhe duhen bërë disa rregullime për të marrë rezultate pozitive në vazhdim.

“Duhet të jem i sinqertë me ju. Kur më telefonoi Lici u emocionova. Të kthehesh në Shkodër është përgjegjësi e madhe. Sapo erdha kujtova gjithçka në lidhje me futbollin. I falënderoj drejtuesit për besimin. Kontrata është për këto tetë javë dhe Kupën. Vllaznia ka brumë, e kam parë nga larg.

Nuk i di problemet e mëparshme. Asnjëherë nuk do të ketë mendim që të shpëtojmë nga vendi i tetë, por duhet menduar për lart. Mendojmë për mesin e tabelës, pse jo edhe për kupat e Europës përmes Kupës”, tha Dedja, i cili më pas analizoi edhe më shumë skuadrën e tij të re.

 

“Vllaznia ka hyrë në shina, skuadra ka pasur drejtim të mirë dhe kjo duket. Ekipi ka bërë futboll. Nuk është si para 2-3 vitesh, kur ekipi edhe ra në Kategorinë e Parë. Tani mendoj se është një Vllaznia tjetër. Kam bërë një analizë që kur më telefonuan. Fola me bashkëpunëtorët e mi dhe kam ndjekur disa kronika, ku ka disa gabime. Nuk kam parë si shkojmë te porta kundërshtare, por si pësojmë dhe mund të bëhen rregullime”.

“Do ulem të flas me skuadrën sot. Për anën teknike do të flasim në vazhdim, me ju dhe me sportdashësit, që jetojnë me Vllaznisë edhe pse nuk lejohen në stadium. Ky klub ka një emër të madh. Vllaznia është lëkurë e rëndë. Duhet ta heqim frymën që Vllaznia duhet të shpëtojë nga kategoria. Jam i fokusuar te këto javë, te ndeshjet e kampionatit dhe Kupën”.

Në fund Dedja foli edhe për takimin që pati me kryebashkiaken Ademi: “ Në takimin që bëra e pashë që ishte e nervozuar dhe me të drejtë, pasi është investuar. Këtu nuk do të ketë probleme financiare më tha. Doja mos t’i kisha këto probleme dhe ajo m’i garantoi. Sot më treguan se kanë kaluar pagat e marsit. A iki nëse ka probleme financiare? Nuk mund të them që largohem, jam shkodran. Rri edhe pa lek”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!