Vllaznia kërkon 3 pikë ndaj Bylisit

schedule18:00 - 27 Gusht, 2019

schedule 18:00 - 27 Gusht, 2019

Vllaznia nuk është në formën më të mirë, por trajneri Mirsad Jonuz beson tek rezultati pozitiv në ndeshjen ndaj Bylisit. Jonuz refuzoi të deklaronte se cili është objektivi i skuadrës në këtë kampionat.

Duket sikur në Shkodër kampionati nuk ka nisur ende. Pavarësisht fitores me Laçin, diçka me të vërtetë e rëndësishme, trajneri Mirsad Jonuz, sheh si detyrë kryesore të harmonizojë skuadrën, të krijuar vonë.

Trajneri me origjinë shqiptare, ardhur nga Maqedonia, gjithsesi, nuk harron se detyra e Vllaznisë është të marrë rezultatet, ndaj edhe së pari flet për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit.

“E kam studiuar Bylisin, edhe në televizion, edhe në pamje filmike në disk. Kam diskutuar me lojtarët dhe mund të them se kundërshtari është I fortë, dhe ndeshja do të jetë e hapur. Edhe Bylisi ka trajner nga ish-Jugosllavia, dhe luan me të njëjtin sistem si ne. Nuk mund të parashikoj rezultatin, por besoj se lojtarët tanë do të japin maksimumin për të marrë tri pikët. Gjithsesi, e rëndësishme është të mos humbasim”.

Jonuz ngacmohet duke i thënë se si shumë eufori u krijua pas suksesit me kurbinasit.

“Jo, nuk mund të jetë kështu. Një fitore është thjesht një fitore, ndeshja e radhës është diçka tjetër. Është puna e radhës. Gjithsesi, jam i kënaqur me mentalitetin e lojtarëve të mi. Dua të përgëzoj dhe të falenderoj për ndeshjen ndaj Laçit. Ishte një paraqitje mjaft e mirë, dhe një rezultat tepër pozitiv për ne. Pas asaj ndeshjeje, patëm disa probleme me lojtarët, por pas dy ditësh stërvitjeje të gjithë janë mirë, dhe vetëm Gligorovi nuk e ka marrë dot veten”.

Laçi e Bylisi kanë rëndësi, por po ashtu duhet të dihet se cili është objektivi i Vllaznisë në këtë kampionat?

“Për momentin, është e rëndësishme të krijojmë skuadrën, sepse kemi lojtarë që kanë ardhur vonë dhe janë stërvitur pak me ne.  Ne na duhen pikët ndaj Bylisit dhe Tiranës, por do të vazhdojmë të punojmë gjatë periudhës së pushimit. Për sa i përket objektivave, mbijetesës, Ligës së Europës apo Championsit, për këtë do të flasim pas 6 muajsh”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!