Vllaznia ka menduar edhe për lojtarët e Akademisë, teksa drejtuesit kuqeblu kanë vendosur të huazojnë talentin shkodran në Ulqin. Klejdi Paloka do të huazohet te Otrant-Olympic.
Ai do të qëndrojë për një sezon me Otrant-Olympic për t’u rikthyer më pas sërish te kuqeblutë. Prodhim i Akademisë, Paloka pritet të rritet në aspektin profesional në mënyrë që t’i shërbejë skuadrës së Vllaznisë. Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare bëhej me dije;
“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur një marrëveshje me FK Otrant-Olympic – Ulcinj për huazimin e futbollistit tonë Klejdi Paloka. Periudha e huazimit do të jetë për sezonin 2022-23 dhe ne i urojmë këtij lojtari paraqitje sa më dinjitoze me skuadrën e tij të re”, shkruan klubi kuqeblu.
20-vjeçari luan si qendërmbrojtës dhe shihet si një futbollist me prespektivë. Tashmë do të provojë të kontribuojë në një skuadër të re si Otrant-Olympic. /f.a/abcnews.al