Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, në një deklaratë për shtyp me homologun bullgar, Rossen Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë ndërsa shprehu nevojën për më shumë bashkëpunim në fusha të ndryshme.
“Diskutuam për miqësinë tradicionale midis vendeve tona, mundësinë për intensifikimin parlamentar dhe marrëdhënieve dypalëshe, vijimin e mbështetjes së integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin për mbrojtjen e paqes, stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin midis kuvendit dhe asamblesë kombëtare duke shtuar vizitat në nivele të larta, komisionesh parlamentare, grupimeve të miqësisë dhe deputetëve. Kolegut i shpreha mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme dhe të artikuluar qartë të Bullgarisë ndaj integrimit evropian dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave.
Shqipëria vlerëson politikën e jashtme konstruktive të Bullgarisë, fokusin e saj tek fqinjësia e mirë, dhe përpjekjet për rritjen e rolit të nismave rajonale. Rolin e Bullgarisë së përkrahëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE e konsiderojmë si investim strategjik dhe garanci për sigurinë e tij në të ardhmen sidomos kur palët të treta po punojnë për të rritur ndikimin e tyre në rajon. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, në dobinë tonë, të rajonit dhe perspektivës evropiane.
Vlerësuam se janë të gjitha mundësitë që të zgjerojmë bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes reciprok, si infrastruktura, energjia, bujqësia, teknologjia e informacionit, arsimi, kultura, turizmi, siguria etj. Vendet tona i konsiderojnë pakicat kombëtare si urë për miqësinë e gjatë dhe të qëndrueshme si edhe një aset për vlerat dhe shoqëritë tona. Vendet kanë bashkëpunim vecanërisht të mirë në kuadër të kombeve të bashkuara, i cili u konfirmua gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.“, u shpreh Nikolla. /abcnews.al