“Vlerësim pozitiv për të gjitha kushtet”, Rama i përgjigjet komentuesit: Giro d’Italia, ‘certifikatë’ e Shqipërisë së rilindur

schedule12:22 - 14 Janar, 2025

schedule 12:22 - 14 Janar, 2025

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi, i cili shkruan se Shqipëria nuk ka infrastrukturë rrugore për të zhvilluar ngjarjen sportive Giro d’Italia. Kreu i qeverisë thotë se ekipi italian ka dhënë një vlerësim pozitiv për të gjitha kushtet e nevojshme, qoftë në infrastrukturë apo siguri.

Sipas tij, ky eveniment i njohur është “certifikatë” për Shqipërinë tashmë të rilindur.

“Ti thuash Shqipëria s’ka rrugë për Giron e Italisë sepse dëgjojmë vetëm lotët e Ballukut por rrugë nuk shohim. Ndërkohë të zotët e punës që organizojnë Giron nuk e dëgjojnë fare Ballukun, madje kam përshtypjen që as nuk e dinë se kush është por kur kanë ardhur vetë në Shqipëri për të parë kushtet jo vetëm që i kanë parë rrugët por kanë bërë vlerësim shumë pozitiv të të gjitha kushteve, infrastrukturë, hoteleri, siguri, pastërti dhe ekipet profesionale në çdo bashki. Fjalët e këtyre këto jo të miat. Çfarë të të them unë. Kohë e çuditshme ka ardhur me disa nga ne o vëllai im shqiptar. Deri dje ishim deri në fyt dhe nxeheshim me të huajt që nuk na hidhnin dhe as sytë. Ndërsa sot nuk i shohim ndryshimet që ja bëjnë mu dhe çuditemi me miliona të huaj që vijnë në këtë vend ku s’ka rrugë, drita, ujë dhe bukë dhe ku vriten njerëzit përditë rrugë më rrugë. S’di vërtetë ç’të të them për rrugët që ti i dëgjon por nuk i sheh. Siç thotë populli nuk sheh syri por mendja dhe nuk ka të verbër më të verbër se ai që nuk do të shikojë. Por ama di të them se përfshirja e Shqipërisë në Giro di Italia është certifikata e padyshimtë e një Shqipërie të rilindur, e cila nga burim paragjykimesh, përçmimin për shqiptarët kudo kurdo nëpër botë është kthyer në burim vlerësimi dhe respekti për Shqipërinë dhe çdo shqiptar. Ta mendoje se para disa vitesh Giro e Italisë në Shqipëri ishte si të shikoje një ëndërr me sy hapur, por lum kush ka ambicien, kurajon dhe durimin të luftojë që ëndrrat me sy hapur të bëhen realitet. Dhe sot ajo ëndërr është realitet se unë ëndërroj, besoj, fitoj dhe luftoj falë një force të madhe popullore që quhet PS, pa të cilën asnjë ëndërr nuk bëhet dot realitet për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. “, u shpreh Rama.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!