Vjosa Osmani thirrje ndaj “Apple”: Kosova është pjesë e botës tuaj, përfshijeni edhe në hartë

schedule12:57 - 27 Korrik, 2020

schedule 12:57 - 27 Korrik, 2020

Listës së personazheve publikë që i kanë bërë thirrje Apple për të korigjuar kufijtë e Kosovës në hartë, i është bashkuar edhe kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani. Përmes një postimi në twitter, kryetarja e Kuvendit shkruan se Kosova tashmë është një realitet për Apple, për shkak se shumë shërbime të kompanisë janë të disponueshme në vend, prandaj shton ajo, “le të sigurohemi që ta shohim shpejt atë edhe në hartë”.

I dashur Apple. Më datë 21 prill ju keni bërë një deklaratë zyrtare duke informuar se shumë nga shërbimet tuaja më të dashura tanimë do të ishin në dispozicion në 20 vende të tjera, ndër të cilat keni përfshirë dhe Kosovën. Në mars, ju keni bërë Dua Lipën, superstaren nga Kosova, kopertinë në Pop Listën në ”Apple Music”.

Shumë prej aplikacioneve tuaja në App Store përdoren masivisht në Kosovë pasi ju i keni bërë të disponueshme këtu. Apple, Kosova është qartë pjesë e botës suaj. Le të sigurohemi që ta shohim shpejt atë edhe në hartën tuaj.”, ka shkruar Osmani.

Kujtojmë që ky peticion shkaktoi polemika në Serbi. Madje, ishin të shumtë ata që sulmuan drejtpërdrejt dhe këngëtaren Dua Lipa, pasi ndau në rrjete sociale një hartë të Shqipërisë etnike. Shumë artistë serbë reaguan ndaj yllit shqiptar me famë botërore, madje duke shpërthyer dhe në ofendime. /abcnews.al/