Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në Bordin e Paqes për Gazën krah presidentit amerikan Donald Trump, një zhvillim që në Kosovë është interpretuar si sukses diplomatik.
Megjithatë, analisti Armend Demaku vlerëson se kjo pjesëmarrje nuk përbën ndonjë arritje të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një pozicion shtetëror dhe jo personal të Osmanit.
Në një intervistë për emisionin “NewsRoom” në ABC News, Demaku ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti, duke deklaruar se ai nuk është pranuar nga diplomatë amerikanë për shkak të qëndrimeve të tij, ndërsa ka theksuar se raportet e Kosovës me SHBA-të mbeten thelbësore për përfitimet strategjike të vendit.
“Nuk janë raporte personale. Kosova është një krijesë e SHBA-ve. Në Kosovë pjesëmarrja në Bordin e Paqes shihet si një arritje e madhe. Unë personalisht nuk e shikoj një arritje të madhe, nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Arritja më e madhe që Kosova ka bërë me SHBA-të pas Pavarësisë ka qenë edhe krijimi i ushtrisë.
Është thjesht një pozicion i Kosovës dhe nuk ka pse të shitet si diçka e jashtëzakonshme. Është e shtetit dhe jo personale e Vjosa Osmanit. Nga ana tjetër Albin Kurti takon persona që nuk kanë asnjë lloj relevance, për Kosovën kjo nuk duhet të jetë lajm. Për aq kohë sa Kosova është krah SHBA-ve do të ketë përfitime. Atje duhet të ishte Albin Kurti, por atë e kanë refuzuar diplomatët amerikanë që ta takojnë për shkak të kryeneçësisë së tij. Ka marrë veprime në dëm të qytetarëve të Kosovës”, tha Armend Demaku.


