“Amerikania” është romani më i ri që vjen në gjuhën shqipe nga botimet “Pegi”. Kryeredaktorja Aida Baro ka ndarë të gjitha detajet e këtij libri në “ABC e Mëngjesit”. Madje, ajo ka zbuluar se për ta vendosur këtë titull i janë dashur dy muaj pritje, që të merrnin konfirmimin e autores.
Sakaq, Baro ka theksuar se “Amerikania” është historia e të gjithë shqiptarëve që kanë emigruar, por nuk janë përballur me diskriminimin e ngjyrës.
“Në fakt vajza që është personazhi kryesor është nigeriane me origjinë. Në një far mënyre i përket një shtrese sociale të mesme, me prindër që duan patjetër që vajza të arsimohet dhe duan që vajza të shkojë në Amerikë. Është një gjë tipike dhe e popullit shqiptar përgjithësisht. Edhe në momentin që ajo shkon në Amerikë, përballet me një fakt tjetër. Duhet të kemi parasysh që ajo aty zbulon që është zezake, që është e zezë, sepse vinte nga Nigeria dhe nuk e kishte ndjerë kurrë atë diskriminim.
Në fakt ne në fillim ishim me idenë që ta vinim titullin e librit “Amerikana”, siç është titulli origjinal, pasi në Nigeri thuhet kështu për dikë që vjen nga Amerika. Autorja Chimamanda vonoi shumë për të na dhënë lejen e saj për të përdorur titullin “Amerikania”, sepse kam përshtypjen që ajo bën këtë gjë dhe e thotë dhe në libër: ‘Ne të gjithë vuajmë, të bardhë, të verdhë, etj, etj. Mirëpo, të jesh i zi në Amerikë është një vuajtje akoma dhe më e madhe, që njerëzit nuk e kuptojnë aq lehtë’. Prandaj, na e vonoi gati dy muaj lejen për të vendosur titullin, por që flet më shumë publikut shqiptar.
Historia rrëfehet nga kjo vajza dhe nga i dashuri i saj, i cili përfundon emigrant në Angli. Besoj që kushdo që ka shkuar atje për herë të parë, ka bërë punët nga më të rëndomta. Është përplasur me zyrat e emigracionit, është përplasur me faktin që duhet të punoj në të zezë dhe nuk ka asnjë lloj dokumenti. Madje, bën dhe dokumenta fallso, duke u hequr si dikush tjetër. Në fund, përfundon duke u kthyer sepse e kapin. Është një histori shumë e ngjashme me historinë e shqiptarëve, por nga ana tjetër është e kundërt, pasi ne nuk jemi hapur me diskriminimin e ngjyrës”, u shpreh ajo./abcnews.al