Gruaja me origjinë shqiptare, Çile Percetaj bashkë me tre fëmijët e saj të lindur në Detroit të SHBA-ve, u detyrua të kthehej në Shqipëri duke u ndarë nga bashkëshorti. Kjo për shkak se u deportua nga autoritetet amerikane në korrik të 2018. Bashkëshorti, një shqiptar i Malit të Zi, që kishte shkuar që 5-vjeç në SHBA nuk reshti së kërkuari ribashkimin me familjen, derisa arriti ta realizojë në prag të Krishtlindjeve.
Televizioni i Detroitit “Lokal 4” transemetoi sot pamjet e ribashkimit të familjes Gojkevic. Ata e përshkruajnë si një mrekulli që ndodh për Krishtlindje. Peter Gojecevik shihet teksa përqafon me mall dy vajzat, që i sheh pas 1 viti e gjysmë.
Ishte korriku i vitit 2018 kur ai dhe gruaja e tij, Çile Precetaj, morën një vendim të vështirë për të sjellë në Shqipëri fëmijët e tyre që kishin lindur në SHBA. Ky vendim u mor për të mos i ndarë fëmijët nga nëna, që ishte deportuar nga zyra e emigracionit për mungesë dokumentesh.
46-vjeçarja u deportua nga Detroiti pas një beteje ligjore dy vjeçare për të drejtën e saj të qëndrimit në SHBA, edhe, pse menaxhonte një restorant të suksesshëm me të shoqin, edhe pse paguante taksat dhe kishte tre fëmijë të lindur në SHBA, ajo u deportua dhe humbi të drejtën e qëndrimit në një vend që e quante “shtëpia ime”.
Shtypi amerikan tha se Cilja hyri në SHBA me një pasaportë të falsifikuar italiane në vitin 2000. Ajo nuk arriti të merrte azil derisa u mor vendimi ekstrem ndaj saj. Media amerikane dhe jo vetëm, shkroi gjatë për ndarjen padrejtësisht të familjes shqiptare për shkak të ligjeve të ashpra të emigrimit në SHBA./abcnews.al