Vjedhja në aeroport, asnjë s’merr përgjegjësi

schedule14:11 - 13 Prill, 2019

schedule 14:11 - 13 Prill, 2019

Grabitja e përsëritur e parave gjatë transportit në aeroportin e Rinasit shenjoi zhvillimet e javës politike që lamë pas. Ky cënim i ri i sigurisë kombëtare u bë shkaku për akuza të forta politike, ndërsa përgjegjësitë u deleguan, njëlloj si në grabitjen e dy viteve më herët. detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Një grabitje e përsëritur e parave të bankave në pistën e aeroportit të Rinasit, tregoi se sa e brishtë është siguria në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të një vendi të NATO-s, e nga ana tjetër, ndërsa sesi pasohet përgjegjësia për një ngjarje të përsëritur, që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare. Në vend të nxjerrjes së përgjegjësive, nisi automatikisht përplasja institucionale e politike, në një situatë ngërçi ekzistues, pasi opozita ka nisur një kauzë të re me djegien e mandateve parlamentare, por edhe njëherë javën politike që lamë pas, u heshtua sërish në aksionin e saj, këtë herë nga një zyrtar i departamentit amerikan të shtetit.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Vizita e zv/Ndihmës sekretarit amerikan Metju Palmer në Tiranë, u pa si një mundësi për të ndjërmjetësuar në atë që artikulohet si krizë politike e institucionale. Kjo nuk ndodhi pasi ndalesa në Tiranë ishte pjesë e një turi në rajon, por nuk munguan mesazhet e forta. Takoi Kryeministrin, kreun e PD, kryetaren e LSI dhe Presidentin e Republikës. Secili aktor në njoftimet për shtyp foli me nota pozitive për bashkëbisedimin me zv.ndihmës sekretarin amerikan. Ndërsa mesazhet e Palmer u mësuan gjatë një komunikimi me disa gazetarë shqiptarë, pjesëmarrës në programet e shkëmbimit me DASH. Në transkriprin e bisedës publikuar nga ambasada amerikane, Palmer citohet të ketë thënë se nuk ka ardhur për të negociuar apo mbështetur një zgjidhje të caktuar.

Mesazhet ishin dekurajuese për aksionin e opozitës, protestat e të cilës tashmë janë pjesë e gjeografisë së ngjashme politike, edhe në vende të tjera të rajonit, një imazh jo fort interesant përballë BE të brishtë para forcimit të populistëve në europë e zgjedhjeve të majit për PE.

Ndërsa Palmer jepte ato mesazhe për gazetarët, tek zona e Bregut të Lumit po ndodhte për të dytën ditë rradhazi një përplasje me policinë e Inspektoriatin Vendor Ndërtimor, e banorëve që kundërshtonin prishjen e banesave për shkak të ndërtimit të segmentit të tretë të bulevardit të ri, pa u kompensuar më parë, edhe pse banesa të refuzuara nga legalizimi. Policia e INUV ishin rikthyer herët në mëngjes, duke nisur prishjen, pasi kishin bllokuar hyrjen në zonë të cdokujt, edhe mediave. Duke shpërndarë në media këtë video, PD akuzoi policinë për përdorim gazi lotsjellës ndaj banorëve, cka nuk u përgenjeshtrua, ndërsa kreu i shtetit kërkoi hetim nga prokuroria. “Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës, duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre, është një akt i papranueshëm.” thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

Por çka sfumoi këtë ngjarje, e sidomos mesazhet e Palmer, ishte një déjà vu e 30 qershorit 2016. Të martën e 9 Prillit, u përsërit grabitja nga një avion me pasagjerë në pistë, e parave të tre bankave të nivelit të dytë, që po transportoheshin jashtë vendit përmes Austria Airlines.

Në pak minuta grabitësit kanë marrë thasët me para nga barku i avionit, e ia kanë dalë t’I shpëtojnë edhe policisë, e cila pasi u njoftua u vu në ndjekje të tyre. Sipas informacionit paraprak zyrtar, ka patur një shkëmbim zjarri me policinë, nga i cili mbeti iI vrarë një prej grabitësve. Identifikimi i tij u bë brenda pak orësh nga mediat greke, ndërsa në Shqipëri konfirmimi erdhi vetëm të nesërmen, pasi familjarët e identifikuan në morg, si Admir Murataj, një personazh tepër i njohur për policinë si në Shqipëri ashtu edhe Greqi, e autor i dyshuar i vjedhjes së para dy viteve, me të njëjtën taktikë po në Rinas, si dhe grabitjeve të tjera.

Kur i gjithë opinioni po vinte në pikëpyetje punën e shtetit, në një ngjarje të përsëritur e në një objekt të sigurisë së lartë si aeroporti, një zë nga qeveria e orientoi përgjegjësinë nga koncesionari. Ministrja e Infrastrukturës, ish drejtore e ANTA tha se përgjegjës për sigurinë në aeroport ishte koncesionari kinez, dhe e vecoi shtetin shqiptar, si palën që tani duhej të vepronte sipas detyrimit për të garantuar sigurinë në aeroporin e vetëm ndërkombëtar të vendit.

Shqipëria u bë lajm në mediat e huaja, që edhe pse nuk kishte konfirmim zyrtar, flisnin se shuma e grabitur ishte 10 milionë euro, nga një avion me pasagjerë në bord, në pistën e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.

24 orë pas angazhimit pa rezultat nga toka e ajri, Kreu i Shtetit reagoi ashpër e kërkoi identifikimin e përgjegjësve.

Referenca ishte për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së 16 majit 2018, ku sipas Presidentit ishin lënë detyra për secilin institucion, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problematikës së sigurisë në aeroportin Nënë Tereza. Ky aludim për përgjegjësi të shtetit nuk mori përgjigje nga qeveria. Shefi i saj vijoi me orientimin e nisur nga ministrja e tij Balluku, të përgjegjësisë tek kompania koncesionare.

Ministrja e Mbrojtjes njoftoi dislokimin e forcave speciale të ushtrisë e policisë ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit.

Më pas ishte radha e Policisë së Shtetit.

Ministri i brendshëm shkoi edhe më tej, e foli për sukses të policisë.

Për herë të parë reagoi koncesionari i aeroportit që foli për keqinformim të publikut njëlloj si në vjedhjen e 2016, e tha se ka përmbushur pjesën e vet të punës për sigurinë aeroportuale.

Opozita shënjestroi qeverinë.

Interesant është s’kryeministri nuk ka shqiptuar publikisht asnjë qëndrim për këtë ngjarje të rëndë, edhe pse daljet e posaçme për ngjarje të rëndësishme nuk i kanë munguar, së fundmi për protestën e 16 shkurtit të opozitës.

Ata që folën pas ministrave ishin deputetët socialistë, edhe pse jo njëlloj të koordinuar në etiketimin e ngjarjes.

Kompania austriake “Austrian Airlines” avioni i të cilës ra pre e grabitësve, e vetmja kompani që kryente transportin e vlerave monetare jashtë vendit, bëri të ditur se nuk do të ketë më transferta cash nga Tirana në Vienë, çka do të jetë një problem në vazhdim për bankat në vend.

Pikërisht ditën e grabitjes, Kryeministri kishte udhëtuar drejt Principatës së Monakos, i ftuar nga Princi Alberti II. Videon e postoi teksa në Tiranë grabitja spektakolare ishte kryetemë bisede kudo, të parat mediat.

Në mënyrë të pazakontë Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për grabitjen në Rinas edhe pse mbajti një fjalë në Kuvend të enjten. Por paralelisht, në Rinas ishin dërguar dy ministre, e Infrastrukturës dhe e Mbrojtjes. E para tha se nuk do tolerohej më koncesionari, por nuk artikuloi asnjë masë ndaj tij.

Ministrja e dytë, ajo e Mbrojtes krijoi imazhin e sigurisë së rivendosur, përmes asistimit në vendosjen e policisë ushtarake e batalionit special të FA në perimetrin e jashtëm të aeroportit, me urdhër të saj. Komandanti i përgjithshëm i FA, Presidenti i Republikës, bëri të ditur se nuk ishte informuar, e për pasojë kërkoi nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, se mbi cilin ligj bazohej ajo lëvizje e trupave ushtarake. Përgjigjen ia dha Ministrja e Mbrojtjes.

Një debat i ri u ndez nëse ishte shkelur apo jo Kushtetuta e ligji për pushtetet në FA, të cilët parashikojnë përdorimin e ushtrisë vetëm për gjendje të jashtëzakonshme dhe për parandalimin, ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore. Në të dy rastet, parashikohet autorizim i Kuvendit. Përgjigja erdhi nga Kryeministri, jo me zë e figurë. Në instagram postoi foto nga një aeroporti jashtë vendit me prani ushtarake brenda tij. Në fakt të tilla pamje janë të zakonshme, si masa antiterrorizëm. Kryeministri bëri dallimin e njoftoi se në Shqipëri ushtria do jetë jashtë aeroportit.

Ky debat i ri sfumoi disi atë të përgjegjësve për grabitjen për herë të dytë, të cilën e riktheu Lulzim Basha

Qeveria vazhdoi të akuzonte koncesionarin, e ky i fundit policinë, në të vetmin reagim, por pikëpyetjet mbeten të forta. Sipas kontratës koncesionari ka pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë në siguri, e për pasojë ka kontraktuar një kompani private sigurie, ICST Albania, e cila merr nga cdo udhëtar 3 euro për sigurinë, ndërsa dështoi plot dy herë në mënyrë spektakolare.

Po përse atëherë përse nuk merren masa ndaj koncesionarit? Një përgjigje gjendet në kontratën voluminoze prej 209 faqesh të vitit 2004, në të cilën thuhet se koncesionari përgjigjet për sigurinë brenda perimetrit, por me konfirmim shqiptar.

E nëse konrolli i sigurisë në perimetrin e koncesionit i takon koncesionarit, ka një program dhe procedura ndalimi të hyrjes së pautorizuar në zonën e koncesionarit, siç ka ndodhur dy herët e fundit, kanë si përgjegjës koncesionarin, policinë kufitare dhe DPAC, ndërsa për kontrollin e hyrjes, në vijën kufitare edhe MM.

Po sipas kësaj kontrate, qeveria ofron disa shërbime të rëndësishme, edhe sigurinë kur ajo nuk ndërmerret në nivelin e nevojshëm

Të jetë vallë kjo arsyeja se përse qeveria po ngurron të marrë masa ndaj koncesionarit, por i paraqet disa kërkesa për të përmbushur, e vetëm në rast mospërmbushje, atëherë mund të rishikojë marrëdhënien me të?

Të jetë vallë kjo arsyeja përse vetë Kryeministri nuk u prononcua fizikisht për këtë rast? Kjo mbetet ende për t’u vërtetuar. Koncesionarit kinez që mori koncesionin e aeroportit për vitet e mbetura, i është firmosur zgjatja e kontratës më 2 vjet, më 1 prill 2016. Në shtesën kontraktuale nuk ka asnjë kërkesë të re sigurie. Por koncesionari u shënjestrua si përgjegjës pak muaj pas zgjatjes së kontratës, më 30 qershor 2016, kur ndodhi grabitja e parë e parave në aeroport. Ministri i Brendshëm i kohës kërkoi marrje masash, përfshi rishikimin e kontratës me koncesionarin.

Në fakt akti i vetëm publik si reagim, i takon pasardhësit të Tahirit, Fatmir Xhafaj, që nxori një udhëzim në mars të 2018, që përfshin edhe shoqërimin nga policia të transportit të vlerave monetare

A mund të ishte parandaluar vallë grabitja për herë të dytë në aeroport, nëse do ishte respektuar ai udhëzim? Ky është një opsion retorik, por cka spikat është përsëritja e kësaj historie në mënyrë identike: grabitje në një institucion të sigurisë së lartë, asnjë i ndaluar në 24 orët e para të ngjarjes, shënjestrimi i koncesionarit si përgjegjës, e asnjë përgjegjës në policinë e shtetit e organe të tjera ligjzbatuese, që kanë detyrë parandalimin e kësaj ngjarje, që e ktheu Shqipërinë lajm në mediat ndërkombëtare në prag të sezonit turistik.