TIRANË– Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte të enjten në Kosovë me një leje të posaçme nga Gjykata e Hagës, për të vizituar babain e tij, i cili është shtruar në QKUK.
“Burrë”, shkruan kryeministri Edi Rama, ndërsa ndan në rrjetet sociale foton e Thaçit dhe krahas saj simbolin e shqiponjës.
Kryeministri Rama e ka cilësuar në vijimësi të pa rregullt gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë një nismë apo rezolutë për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.
Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve në 20 dhjetor 2024 në Prishtinë, kryeministri Rama u shpreh se nëse do të hartohej një rezolutë e tillë Kuvendi i Shqipërisë do t’i bashkohej.
“Nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do e merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike, Partia Socialiste do ta angazhojë pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehej Rama në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve.
Që nga nëntori i vitit 2020, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare janë deklaruar të pafajshëm.