Vizita e Putinit në Mongoli/ Ukraina: Mosarrestimi i tij, goditje e rëndë e sistemit të së drejtës penale ndërkombëtare

schedule23:55 - 2 Shtator, 2024

schedule 23:55 - 2 Shtator, 2024

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha të hënën se dështimi i Mongolisë për të arrestuar udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, i kërkuar me urdhër ndërkombëtar, i dha një goditje të rëndë sistemit të së drejtës penale ndërkombëtare.

“Mongolia ka lejuar një kriminel të akuzuar t’i shmanget drejtësisë, duke ndarë kështu përgjegjësinë për krimet e luftës,” shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhyi në Telegram, duke shtuar se Ukraina do të punojë me aleatët e saj për të siguruar që Mongolia të ndjejë pasojat.

Ukraina i kërkoi Mongolisë javën e kaluar të arrestonte Putinin gjatë vizitës së tij për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Kremlini thotë se akuza është e motivuar politikisht.

Vitin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti ndaj presidentit rus. Ky urdhër detyron 124 shtetet anëtare të gjykatës, përfshirë Mongolinë, të arrestojnë presidentin rus dhe ta transferojnë atë në Hagë për gjykim nëse ai shkel në territorin e tyre.