Kur po afron 20-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Organizatës së Atlantikut të Veriut për të ndalur spastrimin etnik serb, presidenti Hashim Thaçi e ka shpallur 2019-n “Vitin e NATO-s në Kosovë”.
Përmes një komunikate për shtyp të publikuar në faqen e presidencës kosovare, Thaçi ka kujtuar se si më 24 mars forcat ajrore të NATO-s nisën fushatën e bombardimeve ndaj shtetit serb, duke ndalur genocidin ndaj popullësisë civile të Kosovës dhe duke sjellë lirinë.
“Populli i Kosovës do t’u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, ka deklaruar Thaçi.
Duke reaguar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka konsideruar “të goditur” idenë e Thaçit. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale kryetari i qeverisë e ka përshëndetur atë dhe ka nënvizuar se ky vit përkon gjithashtu me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“Le ta bëjmë ditën e kufirit “Shengen” në Morinë një moment kulmor të këtij Viti të NATO-s”, e mbyll reagimin e tij në Twitter kryeministri Edi Rama./abcnews.al