Viti 2022 i vështirë për ekonominë, Kadia: Problem inflacioni, po mundohemi ta menaxhojmë

schedule19:56 - 26 Dhjetor, 2022

schedule 19:56 - 26 Dhjetor, 2022

Për të folur për situatën ekonomike, në edicionin qendror të lajmeve me gazetaren Juli Xhokaxhi, ka qenë i ftuar zëvendës ministri i Financave, Besart Kadia.

Ai ka thënë se goditje për ekonominë ka qenë fillimisht tërmeti, pasi shtoi pasigurinë dhe çoi një pjesë të buxhetit për rindërtimin.

Viti 2020 ka qenë një tjetër moment i vështirë ekonomik për shkak të pandemisë, por siç tha Kadia, Shqipëria pa rritje më pas në vitin 2021. Një tjetër vështirësi kanë qenë kostot e larta të prodhimit, tha Kadia.

Ndërkohë, sa i përket vitit 2022, edhe Shqipëria është ndikuar nga vështirësitë me të cilat është përballur edhe ekonomia globale.

“Ushqimet bazë kanë njohur një rritje të konsiderueshme gjatë këtij vitit. Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit, një qytetar që ka marrë kredi do ta ndiejë normën në larjen e kredisë. Lajmi i mirë është që nga nëntori ka filluar trendi zbritës i normës së inflacionit”, tha Kadia.

Sipas tij kjo i dedikohet politikave monetare ndërkombëtare.

“Pas pandemisë, njerëzit u rikthyen në punë, kishin para të kursyera dhe do blinin më shpejt. Por u vu re që jo. Politikat monetare kanë sjellë këto pasoja”, tha ai.

Kadia shpjegoi se një goditje për ekonominë e ka thënë edhe thatësira e si pasojë prodhimi më i paktë në botë, krahas luftës në Ukrainë, teksa shtoi se bota ka hyrë në një rend të ri ekonomik.

“Ne kemi hyrë në një rend të ri ekonomik. Për 20 vite merresdhin kredi shumë lirë, nga ky vit kostoja e marrjes së kredive nuk do jetë më aq e lirë. Është ngadalësim, po mundohet të vendosen pak frenat në ekonominë botërore, problem është inflacioni”, tha Kadia.

“Inflacioni ka ardhur nga jashtë dhe ne po mundohemi ta menaxhojmë. Për shkak të mos ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike, inflacioni në Shqipëri është më i ulët se vendet e rajonit. Çmimi real i energjisë ka ndryshuar kudo”, tha Kadia. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!