Flamurtari ka si objektiv fitoren e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Trajneri Viron Toska flet për shanset e skuadrës së tij dhe për rivalët e mundshëm, në intervistën për ABC News.
Ka dalë 15 herë kampion me këtë ekip, dhe synon tjetër trofe. Viron Toska është “shekullor”, nëse mund të themi kështu, në stolin e Flamurtarit të basketbollit të femrave, dhe ka shansin që të arrijë triumfin e radhës, atë të Kupës së Shqipërisë, me fazën finale që zhvillohet pikërisht në Vlorë.
Ja si shprehet ai në intervistën për Abc News. “Të katërta ekipet e kanë merituar kalimin në këtë fazë, pasi i kanë fituar ndeshjet çerekfinale. Besoj se do të ketë ndeshje të bukura, por dihet që objektivat e Flamurtarit janë që t’i marrë të gjitha trofetë këtë vit, duke nisur nga trofeu i parë që është Kupa e Shqipërisë. Besoj se me gjendjen që ka skuadra dhe organikën që ka, sidomos para publikut tonë në qytetin e Vlorës ku kemi dhënë gjithmonë ndeshje të bukura, këtë trofe do e fitojë Flamurtari” .
Në gjysmëfinale ndeshen Flamurtari-Elbasani dhe Partizani-Tirana. ” Më atë që ekipet kanë dhënë deri tani, mendoj se në finalë do të dalë Partizani së bashku me ne. Çdo gjë pritet nga ajo ndeshje, pasi janë të dyja skuadra të forta, si Partizani ashtu edhe Tirana. Ne na ka rënë një short i mirë, sepse ndeshemi me Elbasanin dhe patjetër do kalojmë në finale.”
Përtej objektivit të Kupës, cilët janë synimet vlonjate, dhe cilët priten si rivalë? “Ka edhe ekipe të tjera, siç është Vllaznia e Shkodrës dhe Studenti, përveç Partizanit dhe Tiranës. Do ketë rivalitet nëse këto skuadra bëjnë afrime në shkurt. Nëse qëndrojnë kështu siç janë, Flamurtari besoj se është skuadër shumë e fortë dhe do t’i realizojë objektivat, duke marrë edhe Superkupën dhe titullin kampion”, përfundon Toska. /abcnews.al