Virgil Van Dijk shpallet lojtari më i mirë i vitit në Europë, lë pas Messin dhe Ronaldon

schedule12:49 - 30 Gusht, 2019

schedule 12:49 - 30 Gusht, 2019

Virgil Van Dajk është lojtari numër 1 i Europës për vitin e fundit. Ylli i Liverpulit u shpall fitues nga UEFA, duke mundur legjendat Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo.

Fitoi Championsin dhe ishte mbrojtësi më i mirë i kontinentit.

Nuk kishte ndodhur kurrë që një lojtar i prapavijës të shpallej lojtari numër 1 i Europës nga UEFA, por ja që Virgil Van Dajku ia doli dhe e meritoi plotësisht.

Një lider tek Liverpuli, holandezi ishte i jashtëzakonshëm për cilësitë e tij teknike, inteligjencën dhe aftësinë për të lexuar lojën e për të udhëhequr shokët.

U eleminua në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve me Holandën, por kjo ishte një humbje ekipore, jo individuale, ndërsa për 50 ndeshje  asnjë sulmues në Premier Ligë nuk mundi ta driblonte.

Ky ishte profili i Van Dajkut, “tulipanit” të “Anfildit”, që u vlerësua nga UEFA si Lojtari i Vitit në Europë.

Saktësisht, lojtari i sezonit 2018-2019, edicion në të cilin për vetëm 1 pikë nuk u shpall kampion i Anglisë.

Ai fitoi edhe çmimin e Mbrojtësit të Vitit po nga UEFA, ndërsa në votimin kryesor la pas Mesin e Ronaldon, duke marrë tri herë më shumë vota sesa superylli portugez I Juventusit.

Van Dajku la pas dy legjendat e 15 viteve të fundit, pikërisht Mesin e Ronaldon, diçka e jashtëzakonshme.

Çmimi nisi në 2011, kur fitues u shpall Lionel Mesi.

Argjentinasi është dy herë më i miri, ndërsa rekordin e mban Kristiano Ronaldo me 3 tituj.

Mesi u shpal sulmuesi më i mirë i Europës dhe i Championsit për edicionin e shkuar, pasi fitoi Këpucën e Artë tek të dyja, ndërsa portieri më i mirë ishte Alison i Liverpulit./ABC News Albania 24/7