Vila: Flamurtari i hapi punë edhe Tiranës, Laçi testi vendimtar. Dua Kupën

schedule10:58 - 7 Mars, 2020

schedule 10:58 - 7 Mars, 2020

Teuta mposhti Partizanin në mesjavë dhe nesër durrsakët e kanë për detyrë të mposhtin Flamurtarin e vendit të fundit. Morali te “Djemtë e Detit” është i lartë, sikurse edhe e thotë Emiljano Vila në konferencën e sotme për shtyp. “Normale që atmosfera është shumë e mirë, duke e ditur që fitorja erdhi në momentin e duhur. Jemi duke përgatitur ndeshjen e nesërme me Flamurtarin. Jemi të gjithë OK”, u shpreh Vila fillimisht.

Në lidhje me takimin kundër vlonjateve, ai shton: “Në letër normal që është ndeshje e lehtë, por duke parë kampionatin nuk mendoj se ka të tilla. E vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin, para disa javësh kemi gabuar me Luftëtarin. Nuk na lejohet asnjë hap fals. Flamurtari nuk ka çfarë humb nesër. Ata e treguan edhe me Tiranën që luajnë, i hapën punë dhe nuk ishte e lehtë për ta. Do hyjmë në fushë siç kemi hyrë në dy ndeshjet e fundit me Partizanin dhe Kukësin, ku kemi bërë një lojë shumë të mirë”.

Objektivi i Teutës me Flamurtarin dihet: “Ky kampionat e ka treguar që nga i pari, tek i fundit, të gjithë luajnë futboll dhe të hapin probleme. Nesër do japim maksimumin të fitojë dhe të marrim tre pikët. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk dua të shohim ndeshjet e tjera, por të shohim ndeshjen me Flamurtarin. Të marrim tre pikët dhe pastaj të mendojmë për Laçin. Aty shihet se ku do të renditemi”.

“Presioni te vendasit? Përgjegjësia është te ne, lojtarët durrsakë. Kemi eksperiencë, si unë, Arapi e Rustem Hoxha, apo edhe disa djem të tjerë, si dhe është bërë ndërthurja me të rinjtë. Presidenca ka bërë një grup të mirë. Kemi treguar se luajmë futboll të mirë, japim maksimumin. Tani të shohim përpara”.

Në fund Vila e thotë hapur që do donte Kupën e Shqipërisë këtë sezon, por nuk heq dorë as nga lufta në kampionat për të siguruar kupat e Europës. “Besoj se kemi zhvilluar një kampionat pozitiv deri tani. Jemi në garë për në Kupë dhe në kampionat. Shpresoj që për 100 vjetor të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Ta sjellim në Durrës, pasi ka kaq shumë vite. Për mendimin tim dhe të gjithë çunave, kupa është kryesore. Pastaj edhe kampionati, pasi edhe nga aty mund të kualifikohemi në Europë”, përfundoi mesfushori i Teutës. /abcnews.al