Nga Linda Karadaku
Leposaviqi dhe Zubin Potoku. E gjithë kjo pjesë e veriut të Kosovës ka një sipërfaqe prej 1,539 kilometër katrorë dhe banohet nga rreth 40000 qytetarë, kryesisht serbë, me një përfaqësim të vogël të shqiptarëve dhe komuniteteve boshnjake dhe rome. Në komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, vazhdojnë të investojnë Kosova, Serbia dhe Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit. Serbia ka një zyrë për Kosovën në qeverinë e saj. Qeveria serbe ndau 91.8 milionë euro nga buxheti i saj për vitin 2021 për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë. Pjesa më e madhe e 91.8 milionë eurove, rreth 43.7 milionë euro, është e destinuar për të mbështetur funksionimin e institucioneve paralele dhe organizatave të tjera në Kosovë, mbi 23 milionë euro janë investime për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe rreth 2.59 milionë euro për “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe aktivitetet kulturore”. Ministria serbe e arsimit mbështet me 23.8 milionë euro të ashtuquajturin Universitet i Prishtinës me qendër në Mitrovicën e Veriut, i cili punon sipas sistemit arsimor të Serbisë. Ndërtimet e Serbisë në very vazhdojnë me një ritëm të pandalshëm. Investimi I fundit prej 14 milionë eurosh I Serbisë është përdorur për të ndërtuar një bllok banimi të quajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan, që përfshin ndërtimin e 300 apartamenteve.
Kosova vazhdon gjithashtu të japë miliona për veriun. Qeveria e Kosovës ndau rreth 10 milionë euro për këto katër komuna, sipas buxhetit të vitit 2021. Ministria e Financave konfirmoi se nga buxheti prej mbi 4 milionë euro për komunën e Leposaviqit, mbi 1.5 milion euro janë për investime kapitale. Një prej tyre, zgjerimi me katër korsi i rrugës Leposaviq-Mitrovicë-Klinë e Epërme-Runik-Istog, me vlerë mbi 2.3 milionë euro. Kosova jep para edhe për ndriçimin e rrugëve të Leposaviqit në vlerë mbi 106 mijë euro. Para të tjera nga buxheti I Kosovës do të shkojnë për ndërtimin dhe riparimin e urave në Komunën e Leposaviqit, ndërtimin e morgut në fshatrat e kësaj komune, ndërtimin e shtëpisë së gjuetisë në Leposaviq, me vlerë mbi 200 mijë euro në total.
Edhe komuna e Zveçanit ka marrë një shumë të majme prej mbi 2.2 milionë euro, nga të cilat, mbi 330 mijë euro për investime kapitale.
Mitrovica e Veriut ka pjesën e luanit, me rreth 5 milionë euro nga buxheti I Kosovës, nga të cilat, mbi 1.3 milion euro për shpenzimet kapitale. Mbi 770 mijë euro janë dhënë vetëm për rikonstruktimin e fasadave të ndërtesave në disa rrugë. Qindra mijëra euro të tjera janë dhënë për infrastrukturën në disa rrugë të Mitrovicës veriore.
Zubin Potoku ka marrë rreth 2 milionë euro nga buxheti I Kosovës, nga të cilat mbi 320 mijë euro për investime kapitale, kanalizime, ndriçim, asfaltim rrugësh, objekte shkollore dhe ambulanca.
Ndërkohë, Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit ka dhënë për veriun mbi 14 milionë euro që nga viti 2013 për projekte të ndryshme. Ky fond ka aktualisht në dispozicion mbi 2.5 milionë euro, para që mblidhen në këtë fond përmes pagesave për mallrat që importohen në pikat kufitare në veri, në Jarinë dhe Bërnjak, dhe që shkojnë për katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për doganat, kur Kosova dhe Serbia ranë dakord ta themelonin atë në funksion të zhvillimit të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Funksionimi i Fondit vendoset nga bordi menaxhues I cili përbëhet nga tre anëtarë: i dërguari i Posaçëm i BE-së në Kosovë si kryetar I tij, ministri i Financave të Kosovës në emër të autoriteteve të Kosovës dhe një përfaqësues i komunitetit serb që vjen nga një prej katër komunave veriore.
Në një përpjekje të ndihmuar dhe lehtësuar nga BE-ja, Kosova filloi me Serbinë një dialog për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, në mars të vitit 2011. Bisedimet e para teknike prodhuan disa marrëveshje, në marrëdhëniet tregtare, përfaqësimin në konferenca rajonale, njohjen reciproke të diplomave, lëvizjen e lirë të njerëzve, dokumentet personale dhe regjistrin civil. Arritja më e madhe ishte IBM, menaxhimi I integruar I kufirit, megjithëse, shumë çështje lidhur me regjimin kufitar dhe kontrollin mbeten të pazgjidhura, përfshi reciprocitetin në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Bisedimet e nivelit të lartë politik filluan në tetor 2012 dhe më 19 prill 2013 Kosova dhe Serbia ranë dakord të punojnë së bashku për zbatimin e planit Ahtisaari në territorin e Kosovës, gjë që njihet si “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve”. Kjo marrëveshje dha rezultate në terren, duke hapur rrugën për organizimin e zgjedhjeve të para lokale dhe parlamentare në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët e pjesës veriore morën pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura në 3 nëntor 2013 me mbi 25 për qind. Më 11 janar 2014 u formuan zyrtarisht asambletë e reja dhe organet komunale në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ndërkohë, nga pikëpamja ekonomike, bizneset në pjesën veriore luajnë një rol të vogël në ekonominë e Kosovës, për shkak të përfshirjes të kufizuar në tregun e përgjithshëm të vendit. Në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova ishte krahinë autonome, me një autonomi të gjerë, kjo pjesë kishte industri të ndryshme të burimeve natyrore dhe nivel të lartë punësimi në sektorët e lidhura me to. Tani industria minerare dhe industritë e lidhura me të gjenerojnë një prodhim jo të rëndësishëm dhe punësojnë një numër të vogël të krahut të punës. Tensionet politike dhe mbajtja peng e qytetarëve serbë të veriut nga Serbia, e bën situatën shumë më të vështirë. Që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurt 2008, Kosova është përpjekur ta vërë nën kontroll veriun, duke ndërmarrë disa aksione. Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, serbët e veriut, i vunë zjarrin objekteve të vendosura në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak ku u dogjën pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Në Jarinje u dogj pika policore ndërsa në Bërnjak, u shkatërrua me eksploziv. Policët ndërkombëtarë nxorën nga vendi i ngjarjes policët dhe doganierët e Kosovës që ishin të rrezikuar. Janë ngritur aktakuza në prill të vitit 2008 për 21 qytetarë serbë për djegien e këtyre pikave dhe policia e Kosovës bëri kallëzim penal kundër 21 serbëve, 7 në Jarinjë dhe 14 në Bërnjak. Besohet se serbët që dogjën pikat kufitare drejtoheshin nga Milan Ivanoviç.
Një muaj më vonë, situate u tensionua përsëri.
Në mars të 2008, si pasojë e plagëve të marra gjatë përplasjes midis forcave ndërkombëtare dhe protestuesve serbë në veri të Mitrovicës, ndërroi jetë një polic ndërkombëtar nga Ukraina. Gjatë përplasjes në mes të forcave ndërkombëtare dhe protestuesve serbë, u lënduan 45 ushtarakë të KFOR-it dhe 37 policë të UNMIK-ut. Ndërkohë numri i të lënduarve serbë besohet se ishte rreth 70. Tensionet filluan pasi njësisë speciale të Policisë së UNMIK-ut, në një aksion të shpejt të kryer në orët e hershme të mëngjesit, kishin marrë nën kontroll Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës, të uzurpuara nga serbët.
Tre vjet me vonë, në vitin 2011, situate do të përshkallëzohej përsëri, duke përfunduar me vrasjen e Enver Zymberit, pjesëtar i njësive elite të Policisë së Kosovës. Në korrik të vitit 2011, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi autorizoi njësitet elite të Policisë së Kosovës që të merrnin nën kontroll pikat kufitare me Serbinë. Serbët kundërshtuan dhe bllokuan rrugën. Polici Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë, u qëllua për vdekje në një nga sulmet e armatosura dhe pikat kufitare me Serbinë u dogjën përsëri.
Viti 2012 e gjeti veriun me barrikada të vendosura nga serbët. Në fillim të qershorit në vitin 2012, KFOR-i ndërmori disa aksione për largimin e barrikadave dhe serbët u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Rezultati ishte një ushtar I KFOR-it dhe tre serbë të lënduar.
Vetëm një vit më vonë, në 2013, veriu do të shkaktonte edhe një viktimë tjetër, këtë herë një doganier të EULEX-it, misionit të BE-së për sundimin e ligjit. Më 19 shtator të vitit 2013, në një fshat të Zveçanit, ishte shtënë me armë zjarri mbi dy makina të EULEX-it, me të cilat po udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë. Nga plagët e marra në këtë sulm, ndërroi jetë doganieri nga Lituania, Audrius Shenaviçius, 35-vjeç, I cili shërbente në EULEX që nga viti 2012.
Kalojnë 3 vjet statukoje dhe në 2016, zyrtarët serbë të veriut të Mitrovicës ndërtojnë një mur në urën e lumit Ibër në Mitrovicë, simbol I ndarjes së qytetit, po aq sa I bashkimit të tij në republikën e Kosovës. Disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 2017, autoritetet e Kosovës urdhëruan prishjen e murit.
2017 ishte gjithashtu një vit I vështirë. Serbia u përpoq të fuste në Kosovë një tren të ngjyrosur me flamurin serb, në të cilin shkruhej “Kosova është Serbi”. Ishte një akt I pastër provokimi, dhe institucionet e Kosovës dërguan në Mitrovicën e Veriut, forca të shumta policore për të ndaluar trenin.
Viti 2018 u shënjua me një zhvillim spektakolar. Më 26 mars të vitit 2018, u arrestua në Mitrovicën e Veriut, Marko Gjuriq, atëherë shef i Zyrës për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, I cili kishte hyrë pa leje në Kosovë. Forcat Speciale të Policisë së Kosovës ndërhynë në momentin kur Gjuriq dhe zyrtarët e tjerë serbë po mbanin një tubim në të cilin po diskutonin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Policia, e cila përdori gaz lotsjellës, e çoi Gjuriqin në zyrat e policisë në Prishtinë dhe pas një ore, e dëboi për në Serbi.
Edhe viti 2019 ishte po aq dinamik. Gjatë një aksioni të gjerë në fund të muajit maj të vitit 2019, që u zhvillua në jug dhe veri të Mitrovicës për luftimin e krimit dhe kontrabandës, Policia speciale e Kosovës arrestoi në Zubin Potok, një punonjës të UNMIK-ut, rusin Mihail Krashnoshçenkov, I cili, duke përdorur makinën zyrtare të OKB-së, ishte përpjekur të pengonte Policinë e Kosovës për të kryer detyrat e saj.
Viti 2021 vazhdon të jetë po aq dinamik për dhe në veri të Kosovës. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, u dërguan përsëri në veri më 20 shtator, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, në lidhje me targat e makinave dhe kamionëve që hyjnë nga Serbia. Policia speciale e Kosovës u pozicionua në pikat kufitare me Serbinë, ndërsa serbët vendosën përsëri barrikadat./Abcnews.al