“Vikingu” kërkon “veshëllapushen” përballë “padronëve” të Champions League

schedule12:07 - 17 Maj, 2023

schedule 12:07 - 17 Maj, 2023

nga Isildo Musta

Pasi “zikaltërit” e Inter arritën mbrëmjen e djeshme të bëheshin finalistët e parë të këtij edicioni të UEFA Champions League, mbrëmjen e sotme në “Etihad Stadium”, “qytetarët” e Manchester City do të përballen me “galaktikët” e Real Madrid për të siguruar një vend në finalen e madhe të 10 qershorit, që do të zhvillohet në Stamboll, pas sfidës së parë të përfunduar në “Santiago Bernabeu”, me rezultatin e barabartë, 1 me 1.

Djemtë e Pep Guardiola, të “karikuar” në maksimum për arritjen e “tripletës” për herë të parë në karrierën e tyre, me fanellën e Manchester City do të bëjnë gjithçka për fitore, sidomos kur kujton faktin se ky është “i vetmi” kompeticion i mbetur për “qyetarët”, pas sigurimit të finales së FA Cup, si dhe pas shkëputjes prej 4 pikësh ndaj Arsenal në Premier League, duke i dhënë kështu “luksin” që të shpallen Kampionë të elitës angleze, edhe në rast se fitojnë vetëm 1 nga 3 ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

Padyshim, i gjithë “presioni” i sotëm do të bie mbi “vikingun”, Erling Haaland. “Terminatori” i Manchester City mund të quhet me plot gojë, lojtari “më i mirë” në botë për momentin, teksa në 48 ndeshjet e tij të para me fanellën e “qytetarëve” ka arritur të shënojë shifrën rekord prej 52 golash, si dhe të dhurojë plot 8 asistime për shokët e tij të skuadrës.

Mirëpo, Haaland nuk është “problemi” i vetëm i “galaktikëve”. Autori i golit të barazimit në “Santiago Bernabeu”, “fantazisti” belg, Kevin de Bruyne është një tjetër lojtar, i cili pritet t’i hapë shumë telashe mbrojtjes madrilene dhe në veçanti mesfushës, me vrapimet e tij shpërthyese dhe goditjet nga distanca, që vijnë papritmasi për kundërshtarin.

Ky Manchester City pritet të dhurojë spektakël mbrëmjen e sotme, me teknikun Pep Guardiola, i cili prej 7 vitesh në krye të pankinës së “qytetarëve”, këtë vit është më afër se kurrë trofeut aq të lakmuar prej tij, “veshëllapushes” së Evropës, trofe që i mungon, që prej viti 2011-të, ku asokohe ishte “pleshti”, Leo Messi, ai që i dhuroi trofeun e Champions League, teknikut spanjoll.

Një statistikë interesante përsa i përket ecurisë së “qyetarëve”, në Evropë është dhe fakti se Manchester City nuk është eleminuar kurrë në 8 ndeshjet e mëparshme të fazës së “play-off”-it, kur ka barazuar ndeshjen e parë larg mitikut “Etihad”, ku e njëjta gjë ndodhi ndaj “demave” të RB Leipzig dhe e njëjta situatë po përsëritet në gjysmë-finalen përballë Real Madrid.

Një motiv tjetër për të kapur finalen e madhe të Stambollit është dhe “tripleta” e famshme, ku këtë sezon, “qytetarët” janë shumë pranë këtij objektivi, me Premier League, që është pothuajse e siguruar, në FA Cup ka mbetur të luhet vetëm finalja përballë Manchester United, ndërsa në Champions ka sfidën më të vështirë të sezonit, sfidë e cila duhet fituar me çdo kusht, sidomos kur në organikë ke lojtarë si Haaland, De Bruyne, Grealish e Mahrez.

 

Me “Kupën e Mbretit” të fituar dhe Kampionatin spanjoll të futbollit, La Liga të përfunduar me shpalljen kampionë të “katalanasve” të Barcelona, “galaktikët” e Carlo Ancelottit e kanë shumë më “të thjeshtë” nga ana psikologjike dhe emocionale këtë sfidë gjysmë-finaleje, ku prej kohësh tashmë lojtarët e “los blancos” sigurojnë në mos vit pas viti, 1 herë në 2 vite finalen e një kompeticioni evropian.

Tekniku italian, Carlo Ancelotti pritet t’i “falet” mbrëmjen e sotme, “sambas” braziliane, me dyshen Vinicius Junior-Rodrygo, të cilët shihen si “udhëheqësit” e Real Madrid drejt finales së madhe të 10 qershorit, finale kjo që do të ishte e dyta radhazi në rast të ndonjë surprize të madrilenëve.

Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, këtë vit mitiku anglez, “Etihad Stadium” është kthyer në “ferrin” e ekipeve të tjera, me “qytetarët” e Manchester City që kanë arritur të fitojnë të 15-ta ndeshjet e luajtura deri më tani në arenën e tyre, teksa kujtojmë se dhe sezonin e shkuar, Guardiola arriti të fitonte brenda në “shtëpi”, me rezultatin e ngushtë 4 me 3.

Në historinë e fazës së “play-off” të UEFA Champions League, këto 2 ekipe janë përballur 3 herë me njëra-tjetrën, me “galaktikët” e Real Madrid që kanë dalë 2 herë fitues, në vitet 2016 dhe 2022, vite ku arritën të fitonin dhe trofeun e lakmuar, ndërsa “qytetarët” kanë arritur të kalojnë vetëm një herë në raundin tjetër, në vitin 2016, ku u mundën më pas në çerek-finalet e kompeticionit nga francezët e Lyon, që i “turpëruan” djemtë e Guardiolas me rezultatin e pastë dhe të thellë 3 me 0.

Përsa i përket formacioneve të sfidës, “arkitekti” Guardiola, pritet të ndyrshojë gjithçka nga ndeshja e parë, teksa mund të përdorë formulën e “shpikur” nga vetë spanjolli atë 3-2-4-1, ku në portë në mënyrë të padiskutueshme do të vendoset “gardiani” brazlian, Ederson dhe para tij në mbrojtjes do të jenë të vendosur, Kyle Walker, Ruben Dias e Manuel Akanji.

Më të tërhequr në mesfushë pritet të pozicionohen John Stones e spanjolli Rodri, ndërsa në nga krahët për të “shqetësuar” mbrojtjen “galaktikët” do të jenë Bernardo Silva e Jack Grealish. Përsa i përket qendrës ajo do të mbulohet nga Kevin de Bruyne e Ilkay Gundogan, me të gjithë lojtarët që do të jenë në mbështetje të vazhduëshme të “vikingut”, Erling Haaland.

Në krahun tjetër, tekniku italian, Carlo Ancelotti mendon t’i rreshtojë “galaktikët” e tij me formulën e thjeshtë e të përhershme të Real Madrid, 4-3-3, ku në portë nuk ka si të mungojë, “shtatlarti” belg, Thibaut Courtois. Në krahët e mbrojtjes pritet të jenë Dani Carvajal dhe “ylli” i ri i “galaktikëve”, Eduardo Camavinga, ndërsa qendra mbulohet nga ish-“shtylla” e mbrojtjes së Bayern Munich, David Alaba dhe “frenuesi” i “terminatorit” Haaland, gjermani shtatlartë, Antonio Rudiger.

Në mesfushë dy “veteranët”, Toni Kroos e Luka Modrid do të mbështeten nga “katalizatori” uruguajan, Federico Valverde, i cili është tërësisht gati për fitoren që do t’i sillte finalen e Champions League, por dhe fitoren e parë në fushën e Manchester City. Ndërkaq, në “tridentin” e sulmit, Ancelotti nuk ka vendosur të bëjë asnjë ndryshim, me Vinicius Junior, Karim Benzema e Rodrygo, që janë gati për të shfrytëzuar çdo rast që u jepet përballë portës së kundërshtarit.

Tashmë e vetmja gjë që na mbetet është të presim orën 21:00, nga ku arbitri polak, Szymon Marciniak do të nisë 90 minutat më vendimtare të këtij edicioni futbollistij, të UEFA Champions League. /i.m /abcnews.al