Vijon “lufta e fjalëve” për hebrenjtë, Rusia akuzon ministrin izraelit: Po bëni deklarata anti-historike

schedule12:56 - 3 Maj, 2022

schedule 12:56 - 3 Maj, 2022

Ministria e Jashtme e Rusisë ka hedhur akuza ndaj një ministri izraelit se ka bërë “deklarata antihistorike”. Akuzat vijnë pasi ky i fundit dënoi deklaratat e bëra nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i cili u shpreh se Hitleri ka qenë pjesërisht hebre.

Kujtojmë se Lavrov shkaktoi një “stuhi” kritikash në Izrael pasi tha se Hitleri “kishte gjak hebre” dhe se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenj.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid ka kërkuar që Lavrov të kërkojë falje duke shtuar se ministri rus ka bërë “një deklaratë të pafalshme dhe skandaloze, si dhe një gabim të tmerrshëm historik.

“Hebrenjtë nuk vranë veten në Holokaust,” theksoi ai.

Por të martën, ministria e jashtme e Rusisë dyfishoi komentet e Lavrov-it, duke postuar në Twitter se Lapid ishte ai që kishte bërë “deklarata antihistorike… të cilat shpjegojnë kryesisht pse qeveria aktuale izraelite mbështet “regjimin neo-nazist në Kiev”.

Rusia ka bërë vazhdimisht deklarata të pabaza se qeveria ukrainase drejtohet nga neo-nazistët si justifikim për pushtimin e saj. Kështu, “lufta” e fjalëve mes Izraelit dhe Rusisë rrezikon të bëhet kriza më e rëndë diplomatike mes dy vendeve në kohët e fundit.

Izraeli ka pasur marrëdhënie miqësore si me Ukrainën ashtu dhe Rusinë dhe ka qenë në krye të ndërmjetësimit ndërkombëtar në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!