Vijon dhuna në komisariatet e Shqipërisë, AMP pezullon 3 efektivë të “Shqiponjave” në Durrës: Rrahën të shoqëruarin

schedule14:54 - 15 Korrik, 2022

schedule 14:54 - 15 Korrik, 2022

Tre efektivë të forcave “Shqiponja” në Durrës janë pezulluar nga detyra pazi akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj një personi që ishte shoqëruar në ambientet e komisariatit në Durrës.

Hetimet ndaj tre punonjësve janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e AMP Durrës ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës punonjësit e policisë:
– Inspektore B. GJ., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.
– Inspektor H. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës
– Inspektor R. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.
Hetimet ndaj punonjësve të mësipërm janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. K. është shoqëruar më datë 06.11.2021 dhe gjatë kohës që ka qëndruar në dhomat e sigurisë, punonjësit e policisë të mësipërm kanë ushtruar dhunë ndaj tij, veprime arbitrare që evidentohen edhe nga këqyrja e pamjeve filmike të ambienteve të sigurisë së DVP Durrës.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!