Një shifër rekord turistësh vizituan Shqipërinë gjatë këti sezoni turistik. Në një intervistë në ABC News, për emisionin Real Story me gazetarin Sokol Balla, Ministrja e Turizmi Mirela Kumbaro u shpreh se deri më 31 gusht vendi ynë ka mirëpritur 7.2 milionë vizitorë të huaj.
Ndonëse sezoni nuk konsiderohet ende i mbyllur, Kumbaro tha se ministria e Turizmit ka nisur punën për sezonin e ardhshëm.
“Puna për sezonin tjetër, ka nisur ‘pardje’. Pjesa më e vështirë është pjesa për përgatitjen e bregdetit. Më 1 nëntor hapen aplikimet për stacionet e plazhit dhe mbyllen më 30 nëntor. Ne eksperimentuam edhe vitin e kaluar, cdo gjë u mbyll që në vitin 2022 për stacionet e 2023. E keni parë këtë vit nuk ka patur probleme, konflikte, kemi ndjekur vetëm zbatimin e kontratave. Dhe kjo nga ana tjetër ka edhe një punë shumë të madhe edukimi. Vijojmë të kemi një problem me komunikimin, me atë që është pjesa publike, me respektimin e rregullave, do t’i forcojmë gjobat, sidomos përsa i përket pastërsisë”, tha Kumbaro.
Në vijim Kumbaro ia atribuoi mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik koordinimit mjaft të mirë, sic tha ajo, me të gjithe strukturat dhe institucionet në vend.
“Për momentin po përpiqemi të bëjmë një koordinim shumë të mirë mes jo pak trupave shërbyes në terren. Kemi patur një koordinim shumë të mirë me policinë e shtetit, me urgjencën, policinë bashkiake, shërbimin shëndetësor, inspektoriatin e turizmit. Agjencia Kombëtare e bregdetit gjatë gjithë sezonit veror, ka shëtitur gjithë stacionet e plazheve me mbi 651 inspektime në tre muaj. Kemi patur bregdet shumë më të sigurtë këtë vit, kemi qenë shumë të reptë në certifikimin e mjeteve dhe kjo falë një bashkëpunimi shumë të mirë mes ministrisë së Brendshme, ministrisë së Turizmit dhe ministrisë së Infrastrukturës.” tha Kumbaro./abcnews.al