Vidhte shtëpitë dhe linte një mollë të kafshuar/ Arrestohet shqiptari

schedule18:11 - 31 Maj, 2018

schedule 18:11 - 31 Maj, 2018

Policia në Itali ka vënë në pranga një hajdut shqiptar që kishte zgjedhur një metodë të veçantë për të lënë gjurmën e tij. Pasi boshatiste shtëpitë, 35-vjeçari linte në tryezë një mollë të kafshuar.

Vidhte apartamentet dhe në tryezë linte një mollë të kafshuar si stemën e tij të identifikimit. Por fruti i ka shërbyer policisë për të marrë gjurmët e ADN-së dhe për ta arrestuar. Bëhet fjalë për një hajdut me shtetësi shqiptare, që është vënë në pranga nga policia italiane.Ai është 35 vjeç dhe sipas autoriteteve ka kryer 11 vjedhje në qytete të ndryshme të Italisë, si Padova, Vareze dhe Komo. Sipas policisë italiane, personi e ushtronte aktivitetin e tij që prej vitit 2010 dhe gjithmonë arrinte të hynte në banesat e qytetarëve.

Më 6 nëntor 2017 ai kreu vjedhjen e radhës në një apartament në lokalitetin Montiçeli Terme, nga i cili u largua me 6 mijë euro. Por gjatë kontrollit agjentëve u ra në sy molla e kafshuar, nga e cila specialistët e policisë shkencore nxorrën gjurmët e ADN-së. Kjo çoi më pas në identifikimin e 35-vjeçarit, i cili nga hetimet ka rezultuar i lidhur me të paktën 11 vjedhje. Gjatë bastisjes së kryer në banesën e tij, në qytezën Bazini, janë gjetur objekte të ndryshme të vjedhura. /abcnews.al