Në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 83, që i përket fshatit Grapsh, pjesë e Bashkisë Dropull, është konstatuar humbja e vulës zyrtare të kësaj KZAZ-je. Ngjarja është denoncuar nga sekretari Thanas Kuremeno, nga radhët e Partisë Socialiste, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës. Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga policia, aktualisht kanë nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të humbjes së vulës.
Kallëzimi penal është bërë në mbrëmjen e datës 21 prill, ndërsa autoritetet kanë planifikuar të marrin në pyetje të gjithë personat që kanë pasur akses në ambientet e KZAZ. Ky Komision Zonal I Administrimit të Zgjedhjeve është një nga më të mëdhatë në territorin e Bashkisë Dropull.
Godina ku është vendosur kjo KZAZ nuk është e pajisur me kamera sigurie, çka e vështirëson punën e hetuesve. Pavarësisht kësaj, strukturat e policisë dhe prokurorisë janë duke ndjekur disa pista hetimi, ndërkohë që po verifikohen të gjitha lëvizjet dhe veprimet e kryera brenda ambienteve të KZAZ-së gjatë ditëve të fundit.
Shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në disa prej KZAZ-ve në vend, ku nuk përjashtohet mundësia e humbjes gjatë transportimit ose vjedhja e saj.
Incidenti ndodh pak kohë përpara mbajtjes së zgjedhjeve në 11 maj./abcnews.al

