Transformatori i rrjetit elektrik të Bërdicës, në Shkodër është vjedhur nga persona të paidentifikuar duke lënë pa ujë rreth 4 mijë banorë. Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, ndërsa po punohet për rikthimin në normalitet të situatës.
Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur në stacionin e ujësjellësit në Bërdicë të bashkisë Shkodër. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur transformatorin e rrjetit elektrik të këtij stacioni duke lënë pa ujë afro katër mijë banorë të katër fshatrave të Bërdicës. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet. Inxhinieri i shoqërisë rajonale të ujësjellës kanalizime në Shkodër Lazër Pema thotë se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm por shumë shpejt do merren masa për rikthimin e ujit të pijshëm në katër fshatrat e Bërdicës.
Inxhinieri Pema ka një apel për gjithë banorët e kësaj zone por edhe për gjithë të tjerët që të mos dëmtojnë stacionet e ujësjellësave duke qenë se ky është një rast i përsëritur. Brenda tre viteve të fundit ky transformator elektrik në stacionin e ujësjellësit të Bërdicës është vjedhur tri herë.
Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Shkodër është duke bashkëpunuar me policinë e shtetit për të identifikuar autorët e kësaj ngjarje në stacionin e ujësjellësit në Bërdicë ndërsa brenda pak ditësh pritet normalizimi i situatës për riparimin e transformatorit të dëmtuar dhe rikthimin e ujit të pijshëm. /abcnews.al