VIDEO/ VAR sërish protagonist, Dinamo e Laçi barazojnë në “Elbasan Arena”

schedule21:46 - 17 Shtator, 2021

schedule 21:46 - 17 Shtator, 2021

Dinamo dhe Laçi janë ndalur në një barazim 1-1 sonte në “Elbasan Arena”, pas një ndeshje shumë të luftuar dhe të vendosur sërish nga vendimet e risisë VAR.

Ndeshja u ndez që në minutën e 4-t kur Ademi dha një pasim të saktë për Zarubica, por sulmuesi goditi keq dhe i hoqi mundësinë e festës kurbinasve.

Pas këtij rasti lojës iu rikthye barazia, por dalëngadalë Dinamo mori terren dhe krijoi disa mundësi të mira, derisa të shënonte në minutën e 42-të.

Gol, por jo i rregullt sepse gjyqtari Ferati, në bashkëpunim me VAR vendosi e cilësoi si pozicion jashtë loje vendosjen e Sofranac në momentin e golit.

Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola. Me nisjen e së dytës, Dinamo vazhdoi të ishte agresive dhe arriti të finalizojë me sukses punën e bërë, duke shënuar në minutën e 53-të.

Isaevski nisi një top në zonë nga e majta dhe Julian Shehu, në tentativë për ta nxjerrë jashtë, tundi rrjetën e tij, pa i lënë asnjë mundësi Sherrit për të reaguar.

Pas golit gjithçka foli për Laçin, që aktivizoi Mazrekajn dhe ky i fundit shtoi shumë klas dhe rrezik në portën e Dinamos, që ashtu si me Kastriotin, u mbyll mbrapa pas golit të shënuar.

Në minutën e dytë të shtesës Laçi shënoi me Roganovic dhe pasi gjyqtari shpenzoi rreth 3 minuta në rishikimin e golit në VAR, i dha të drejtë Laçit dhe e cilësoi golin e rregullt, duke fiksuar shifrat 1-1.

Më pas kishte shumë pak kohë për të ndryshuar rezultatin dhe të dyja skuadrave iu desh të mjaftohen me “paqen” dhe ndanë nga një pikë pas një beteje mjaft të fortë. /abcnews.al