Policia greke ka “çmontuar” një bandë të miturish që vepronte në Athinë dhe që ishte përgjegjëse për disa sulme dhe grabitje. Pjesë e bandës ishin edhe shqiptarë.
Ajo cilësohej si një nga bandat më brutale të të miturve në Athinë e quajtur “Familja e Huliganëve Kolonos”. Tre të mitur, një 15-vjeçar rumun, një 17-vjeçar shqiptar dhe një 16-vjeçar grek, u arrestuan si pjesë e një operacioni të koordinuar nga ana e punonjësve të policisë.
U identifikuan edhe katër anëtarë të tjerë të bandës. Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për krimet e organizatës kriminale (bandës), vrasje e mbetur në tentativë, grabitje, plagosje të rëndë, armëmbajtje, etj. Gjithashtu, 15-vjeçari dhe 16-vjeçari akuzohen për mosbindje.
Mediat greke shkruajnë se në krye të bandës si drejtues dhe organizator i sulmeve, ishte 17-vjeçari shqiptar. Çdo sulm kishte për qëllim marrjen e sendeve personale të viktimave, si dhe shfaqjen e forcës dhe epërsisë.
Përmes bisedës në grup në një faqe në rrjetet sociale organizoheshin sulmet dhe përcaktoheshin lëvizjet e secilit anëtar.
Sulmet e tyre bazoheshin gjithmonë në epërsinë e tyre numerike, për të siguruar rezultatin e tyre, ndërsa mbanin me vete një sërë sendesh të mprehta, gjë që e bënte veprimin e tyre jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Përveç kësaj, dhe për arsye të shfaqjes së forcës së bandës, ata regjistronin shumicën e sulmeve të tyre në video./ Abcnews.al